Ta paça borxh o Agron Dë Tufa
Ta paça borxh o Agron Dë Tufa
Në një takim poetësh në Vlorë– një takim si shumë të tjerë, ku fjala dhe alkoli shpërndajnë një aromë delikate helmimi, ekzekutimesh të buta me thika në këllëf, masakrash me sharra elektrike të fikura – është dëgjuar e vetmja gjë e arsyeshme e thënë ndonjëherë në të tilla kuvende. Poetët e popullit (përjashtohen nga ky lloj ata të Rilindjes së çdo kohe) vinin prej gjithë popullit tonë poet e jo vetëm atij trim e polifonik të Vlorës, por e përmendëm Vlorën meqë prej andej apo aty rrotull ishte poeti anonim, i cili, në një çast të caktuar pas përshkrimit të mësipërm, u ngrit dhe foli. Tani ai dukej i shqetësuar dhe i bindur, por asfare teatral, i dehur dhe i trazuar, por jo si poet. Nuk ishte alkoli që e bënte të sinqertë si në legjendat e Mujit dhe Gunës së Zezë, ndoshta e kish bërë pak më të guximshëm, ama i sinqertë ishte se ishte i turpshëm dhe kish frikë të shtirej se mos e kuptonte dhe vetë. Kështu që nuk mund të formoje veç mendim të mirë dhe të ruajtur për të, gjë që e bënte të pamundur ta kaloje lirshëm fjalën e tij pasi që ai e tha. E ashtu pa u lëkundur, pa tone të rremë në zë apo tinguj të zhdërvjellur që nuk i kanë hije krahinës së tij, pa pritur të sigurohej se po i kushtonin vëmendje të gjithë apo jo, tha – Motrën, rrobtë e ça i përmban pragu i derës gjithë atyre që përdorin fjalën “gjithësesi” në poezi. Dhe u ul.
Nuk mund të bije vetëm se dakort me të. Ai vuante. Hiqte keq. Është përtej shëmtimit të tolerueshëm, si të thuash atij estetik. Është si të të qëllojë dikush me një sharrë hekuri nga armata e parodisë në njëjës të një thike Swiss-Army, për të të vrarë. Një mundim pafund dhe një dhimbje e pamatëshme. Në kuptimin që vërtetë nuk mund ta kesh idenë sesa të dhemb. Nuk është as shumë as pak. Është vetëm bezdi e pashoqe dhe akti vetë të habit aq shumë sa nuk të ngelet vetëm se të rrish e ta shohësh atë tjetrin veprimi i të cilit ngelet një tentativë pasuksesshme. Ti thjesht mund të ulërasësh ndërkohë, por nuk mund të reagosh më shumë se kaq. Ty nuk të e besohet. Ai vazhdon të të qëllojë. Ty as nuk të ulëritet më. Nuk ka zgjidhje. Apo në një krahasim tjetër, pa gjak, është si të shkosh ti rrëfehesh priftit për një krim bërë shumë vjet më parë dhe dënimi të jetë aq qesharak dhe banal sa ta humbësh besimin tek zoti. Apo të jesh ti ai që përpiqet të vrasësh dikë me prerësen e thonjëve të një thike Swiss-Army. Nuk thotë dot njeri që ai djalë nuk kishte nevojë të ishte i ndjeshëm që të kishte të drejtë.
Fjalën “vizllim” nuk e ka prerë Agron dë Tufa, por ai e ka përdorur diku, ndoshta më shumë se njëherë, por jo dhe shumë herë. Meqë tjetri është shkrimtar dhe zbulon e eksperimenton me fjalë dhe nuk e përdor fjalën “gjithësesi” në poezi sido që të jetë, njeriu mund ta tolerojë deri aty sa ta konsiderojë çështje stili çdo mani të lehtë dhe të vendosë në i pëlqen apo jo. Unë pyes më përpara nëse fjala “vizllim” gjendet në ndonjë faqe dhe i kërkoj ndonjë shpirtmiri ta gjejë dhe ta fshijë përpara se të lexoj ndonjë libër të Agron Tufës. Të cilit i uroj krijimtari të suksesëshme dhe fat në jetë.
Por ama fjala në thonjëza më lart (dy herë) është kriminale të jetë në qarkullim. Nuk do të thotë në fund të fundit përveçse “vezullim”, që një është një fjalë normale shqip. Kur bëhet mbiemër – ‘e’ ngelet ‘e’, ‘i’ bëhet diftongu ‘ue’ dhe merr mbaresën ‘shme.
Fjala “vizllim” nuk është fjalë, është një gisht në sy, është dhunë virtuale, është shtypje klasore, diktaturë proletariati, është greqisht, banjë kazerme. Ta thuash qoftë dhe me mend një tingull të tillë, është si të përpiqesh tu ngjitësh lëkurën frutave të qëruara me pështymë. Kjo masë llumi dhe qulli dhe J-ello-je e akullt dhe me teksturë fijesh bari, që hedhë farë në alveola dhe rritet të pushtojë dhe paralizojë qiellzën, teksa ll-ja – ta mbush gojën me gomerë dhe hipopotamë të cilët, në një fund të palumtur, teksa shpreson se tortura do marrë fund dhe ti do i nxjerrësh më në fund, bari është bërë mullar që të mbush gjithë hapësirat e ngelura në gojë e tu nuk të ngelet veçse të gëlltitesh…qe pastaj natyrisht të vjellësh dhe të nxjerrësh zorrët…do kthehem më vonë…