Tituj të Përkohshëm
Vegla Të Padukshme
Fjalë që kthejnë tek shtegtojnë tek njëra-tjetra
Të një gjuhe që e përfytyrojnë ndërsa i lind
Dhe u pasqyron mbrujtjen prej fillimit
Folje të një mënyre munguese
pasthirrma
Është trajta e përkuljes që ruhet
Nga një valle që zhvishet dhe ngrihet si pusi
Duke u bartur etja, stisja e një shkëmbi të përkohshëm
dhe ecja,
Pantomimë e një vizatimi të vëngër
Ku luhaten vija të vrazhda që shlidhen nga
Hijet e ndezura nëpër fletët e ndera nën qerpikë
Si veta e nje kohe të prekur mbi mermerë
Që avullojnë nën përvëlime shkretish të befta.
Etja, ky përrua i lugët dhe vallja që
bie, vdekja
Do të donte të ishte e plotë dhe e
zbrazët
Kurse është gjallim i kulluar, e huaj
nga-
“pres ku struket zhaurima zhgënjyese
e brigjeve që shkrumbohen brenda,
jashtë
Ku mbruhet një perlë nga prehja
E dekorit që fshihet dhe çlirohet
Prej mallit për keqardhjen e
vetmja vetmi”
Do ishte e mundur nga ëndja
E një ore që mohohet ti përkasë, ta ngjizë
Sepse një shpresë të sprasme i gjasmon ëndërra
* * * * *
Të zgjohem. Nuk di të zgjohem. Në fund
Prarimi tharmon sfondin e epshëm,
Fillon me ngjashmërinë e trembur të
një dritareje
Të zbulohesh njëherësh në secilën anë
Të ndodhësh dhe ta hamendësh kujtimin pasardhës
Nuk është veçse theks i provuar, e i mbramë
jo se jo,
Një gjest i huajtur do gjurmonte
Hapësirën që përshkoi derisa të ndërrohej në
Rrëfimin e vet, por kjo:
“Të paharrueshme janë orët vetëm..” pastaj
Njëfarë qyteti, dritare që lakohen
Në shpinë të njëra-tjetrës duke më sjellë
Sërish, dorëzuar në xhamat ku përshkohet
Vullneti i mysët i çdo mëngjesi të mundur
Si fosili i tejpashëm i zhdukjes në sipërfaqe
Bie, silueta e hapësirës mes hirit të luleve të
Shkuara gjerdhet një erë grafike përmes
Pesëprizmit që përkthen dëshmi kureshtare të një
fëmijërie të shpikur
…mbetja, azot dashurish dhe kasollesh
Çati ngrihen dhe ngrijnë kthina, kujtesa
E stepur e hijeve ku fshihen së pari
Përmbysja e përditëshme dhe rrëmimi
si të mos ishte e mjaftë
Njehsimi i ajrit dhe dheut nga fryma që erret
Kur qyetet ngrihen si perde,
Duke e shlyer mbresën, shpërblyer
Arratinë e pafrytëshme prej një krahasimi pafund
Nuk mundem. Nuk mundem, më parë
Nuk është dera e asnjë skene të tërë
Por mozaikë me vise të zmbrapsur
Me ngjarje pafrymë nëpër tezgjahë
Që nyjtojnë të ardhmen, shtrojnë korridorë
Të përmbytur me lugje ngashërimat e tyre të
Ngrira duke u sjellë përskaj hiresh, përmbi skenën
E pakësuar nga shumfishimi i kithët i së tashmes
Amfora të fshehta ndryjnë zjarre të përbaltur
Mundet pamja e tyre qetësisht të vigjilojë
Perandori të kursyera dhe të përzishme në thellësi
të tendosura
Ngrehina të dyllta dhe gërmadha dhe shpella të mbyllura
Asnjë qelë e braktisur nuk duket më e shurdhër
Jo pse as zëra as konture as gjurmë, por dendësimi
Karbonik i largësisë që rrëmben përmes
Mishërimit të fundëm dhe zhdukjes së pamundur
Fundja të qëndrosh nuk do të thotë të duash
më shumë se ata që shkuan,
ose përmendem pothuaj dhe prek,
Argjilën gjinore që shthuret, pluhurin organik
Gjallëruar nga erozioni që i zgjedhon e i nget sepse
Shpesh frymëmarrja është e gatëshme ta durojë
Harrimin e të kthehet e ngopur me fërgëllimën
Prej së cilës u derdh, si të mos dëgjonte
Të mos i ish besuar asgjë më e afërt se
Kumbimi i habitur që përcolli, asgjë më shumë
Se shfaqja e pellgjeve miozikë që e krijoi, ndërsa
Shumë shpejt, përpara se të mund të dallojë
Zgjohet drita e munduar, nga argjendi
I helmuar që digjet në errësirën që e fshehu
Duke e copëtuar, shenjuar në atë që ngelet
e dorëzuar dhe e pazbërthyeshme
Uji i inervuar zgjidh hijet kromatike prej vetes
E mbrun me to gjasa që i shqoi, qeramikën
E ajrit të shuar mbi oborrë të pranishëm
Litografi e mbrëmjes së një çasti të pambrritshëm
Ngase i përbashkët, përndryshe tundimi për të
Për tu ngritur. Sërish? Hedhur, ku zë fill thurima
E një trilli të përafërt, por shfarosës, gjedha e mbidheut
Pllajë e mesditës mesozoike, e shkërmohet në
Moluskë të verbuar mes pezullisë së honeve
të përveshur
Deti diametral, periferik e i shterrur , arkeologji
Yjesh të thatë, migrimesh, e silici të lagët
Dhe pak të agojë, por është kjo e gjithë
Trashgimia e thesareve te pashërueshëm
te natës
Saktësia mimetike nëndheut të afërt
E plotësuar nga kopshte të përshkruar, ujra
Të shndërruar ose errësira zologjike e të njëjtit premtim
Më rrethon me frymën time të përmendur, përhapem
Pastaj gjithshmëria e kthimit, tërësia….shtiret se zgjohem
Mozaikë Të Dyfishtë
Nga të gjitha format a censurës Arti është më e keqja, pastaj
vjen auto-censura…Ervin Hatibi..(Të cilit qetësisht i kushtohet)
Humnera e paprekshme e mëngjesit, ndërsa
Përfund, karvanë përtypin thellësi agregatësh
që rriten, duke hapur vend mes mjegullës, dheut dhe metalit
periferi lëvizëse qytetesh mnemonikë, ata vetë, pasqyruar
në errësirën që lahet, mbi strehët e buta të saj
që shkrijnë, kallur në cohën që shmbështillet
duke mbuluar trumbën e kallamave pranë gardhit
stalaktitet e qiellit nën gjethet e tyre të gjalla
mbi hijet e verdha të filizëve dhe pingul me vështrimin tim
(njollë tektonike në tabakët e ajrit që valviteshin e ajo zmadhohej)
përmes kërcejve si përmes një pylli të përshkruar,
hirin e të cilit e shpërndanin dhe mbanin pezull
nëpër atë hapësirë të mbushur dhe çliruar nga prania
që më zbrazte,
pjesërisht, zhdukte,
pjesërisht, rrethonte,
brenda një konturi që ishte substancë, përmasë, territor dhe kufi
pse nuk mund ti përmbahesha veçse symbyllur
…..Bujtina që fiken në celulozën e nxehtë
Murmurima e kafshëve të mbuluara me pamje
është vaji që përzien tonet e trokitjes së beftë por të pafundme
që thithet në beze. Ende çdo çast që ndryshoj i së shkuarës
zgjon fytyra në hapësirën e mpiksur të vetëm një ëndërre, akoma
çdo çast i shndërruar i së shkuarës prej një zelli kallp edhe pse sekret
ngjallet, pothuaj në një kopësht….
Akrilik i ngarkuar me perspektivë, nën rrymë,
Megjithqë nuk përshkon asnjë ndodhi të denjë
Por veç vetminë e mimikës së mbetur përreth një stoli
Tek kundron
vulat magnetike, dëshmi të pamundura
Por të vetvetishme, mëshimi i një krahu të humbur
(sepse vetëm ai mund të përfytyrohet)
të gdhendte atë që ajo mban në vështrim
formën e pagjurmueshme të zemrës së vet të ngathët
mbathur me pjesë
nga çirakë që i luajnë dhe përloten pabesisht
…gati një amfiteatër, përherë miniaturat e tyre ishin
(qarku janë) vendi i çdo ngjarjeje, si këtë çast po ashtu,
të mpira në thellësi nga muzika, porse
ai shkroi “sikur ta thosha emrin tim ashtu siç unë di ta them”
pastaj, prandaj, ajo ndërprihet, ndërthuret mbi një sipërfaqe
tjetër, një letër e shkruar në vazhdimësi e nuk mundet
prapë se prapë ta përsërisë, as kori, jehonat e menduara,
Janë shkronjat, vrima që vetmbyllen brenda një ngjyre,
zakonisht do kujtohej të ishte e gjelbër
avllia me trëndafilë poshtë portokajve
aq e njohur sa nuk duket e vërtetë, por ndoshta porta,
gërshetat e hekurt të saj edhe ata të gjelbër, krejt përmbi oborr
ndërsa është ende atje dhe mund të hapet, të shfaqë,
sepse duhej të zbrisje, si në gjithë amfiteatrët e mëvonshëm,
rrethuar nga lulishte, e më tej të tjerë, brenda lëvozhgës së turbullt
të shkollave që rëndonin në folenë e shthurur të shiut e ai
vërtitej mes qerthullit të të parëve, gjetheve…
Zgjerohen shkronjat, prerje të pakujtueshme por pulsuese
Që tani shkumëzojnë në anën tjetër të një kornize të zhbërë
Të dalë brinjësh, e shoh të rëndojë, atë, dyzimin e një fotografie
me njolla të zmadhuara midis vështrimit dhe njollave hiri i tij
vijimi i saj, siluetë e ravijzuar nga dyshimi, se ai çast do jetojë më
shumë se ata të dy, dhe se ai fillim nuk është në kohë
E kështu nga e para, jo nga dëshira porse duket e mundur
Letra e shpalos sërish, shpaloset vetë, një perde që ngrihet
Duke zbuluar një hartë intime, por perdja është e vërtetë, megjithqë
Dy fëmijë janë prerë si kontur e kapur po aty me një rrjetë
Që lë të vështrohet nga njëra anë kopshti, nga tjetra kujtimi
I përshkuar më parë nga dielli i kthyer tashmë tejpërtej tij
Në murin ku ai nderet, është kaq ulët përgjatë gjithë ditës
Dielli rreh në sy, ky qytet është vija e horizontit puthitur me
trajektoren e tij
Atij diellit që po tret gjithë lëndën e mëparshme, më kujtohet si letër,
Asaj i duhet të shqisohet përmes kapitjes, të ardhmes, harresës
Është ky xham gjithë zhurmat që do mundej të dëgjoja
Kthejnë si shtigje, nën ballkonë, soleta nën pjergulla, brezare
Por këto vetëm i kujtoj të pranishme, thuaj se përherë
I shoh të zbehura gjithmonë e më
Por nuk tregojnë se më nuk do jenë, nuk duket si kjo letër
Prej drurësh gëlqerorë, mrekullimi i tyre mbi një mur tjetër
Në një tjetër qytet të cilët ajo i mbivendos në të dy anët e kornizës
Duke ua bashkuar ashtu relievin brenda kutisë së vështrimit
Zjarre dhe vinil kandilësh të përmbysur
Bota përreth tyre me detin e saj, po aq e madhe
Nëse dikush priste vetëm ky kalldrëm shtruar
Me trupat e tyre, rrëzuar nga shpina e hapave të tu
E ëndërroi pritjen
Në fusha, erëra dhe pllaja shtrihet bota, pa detin e saj
Thuaj po aq e madhe
Nganjëherë matanë asaj rruge që i sillet përqark
Duke filluar prej këtu ose çdo shqise tjetër
Dhe e atjeshmja… është ajo njëherësh?
Koha dhe aroma me eshtra e saj dhe lëkura
E dritës jo ajo vetë, e tendosur, cipë e papërshkueshme
E një dite që është tërësisht një ditë tjetër,
Cakitur nga varka të ligshta akuarelesh, rrathë në liqenet e
Pluhurosur dhe varur të pasditeve që përkundinin
Nën ujin e gjerë mes zbrazëtisë dhe hijeve
Fytyrën prej gipsi të mbrëmjes, duke i ndërruar trajtë
Rrathë, aroma dhe dukja
Vetëm, e një zambaku që qe vështrim i vetes
Pistili, dhe petal ishte gjerdha opake e valëve
pse kaq shpejt trupi i natës së vërtetë rrëzohej
Dhe shpërndante pluhurin…rrathë që arrinin gjer atje
Pra është ajo njëherësh?
Mund të ketë ndodhur tashmë, por ndoshta
Kur të mund të ekzistojë vetëm nga dija
E një çasti të ri që nuk e përsërit dyshimi
Se dukja është e parëndomtë e asaj fare lakmuese
Flakur në dunat e një malli të panjohur por sfilitës
Mandej ta rikthejë frika për filizët e kujdesur
Me një bujari të mefshtë, praj dhe hakmarrëse
Bimë të tejdukshme përgjatë një bregu të ndezur
Gjaku përgjohet si të hidhje hapa drejt një peizazhi
Që dorëzohet thuaj plotësisht, ai që ndërtove,
Të vendosesh aty, të sillesh,
sikur prania të ishte e fundme, përherë,
Sikur ti jepej si asnjëherë më parë dikujt
Që kthehet përkundër këtij takimi që e fut në gji
Dhe shkëmbehet nga ngjasimi i një vete të rremë
Pse e thyer është pasqyra e një dhome të kthyer jashtë
Ndërsa duket i vetmuar
Bebzat i fik në mbamendje, indet pluskuese
Të brengës shterpë, ngazëllimit të ngratë,
Mendon se i vdekur do të ishte…vdekur
Kjo fjalë… vetëm i zhvishet gjësisë
Duke u zbuluar vendet, përkatësinë
Por janë format që u ndalen në një lojë të dyfishtë
Sipas atij rrëfimi të kumtonin më shumë se asgjësimin
Nevojën e sendeve të jetojnë njëherësh, hetohen njëherësh
Dhe të më zvendësonin, sikur të mundja
por kthehem në shpinë, përpiqem të bie
Sheh horizontin, kacavirret në pemë,
duket më i vjetër, i shqepur
Mënga prej ku rrokulliset qyqja e
fëmijërisë që bie dhe përndiqem
U pe. Flladi shpupuris fytyra të zbrazura
Pellgjesh gjaku dhe kripe
Lagesh. Reumatizëm pjalmesh. Ethesh lulesh disa
Herë të përtira,
Sërish madhësia e një dore të mbytur
Mes flokëve të gjallë dhe stinëve të mbetura
Të fsheh, sikur të mund të ishe..
Organ i mbështjellë nga muskujt e rrugicave
Regëtimat e ndonjë vatre, feneri dekorativ
Yjesh të saposhuar, faresh të tjerë
Ndaj territ të kruspullt në gropën e hapave të tu
Atë dikur e donin. Dikur , sikur e donin.
Thotë se duhet ta ndiejnë
Për atë rrymë që i ngriu duart
Flladi që thamë, që kriset dhe thërrmon gjymtyrë.
Marramendja e shpendit, përzënia, pa zë.