O Klodi

në skenën e zbrazur, spektrale të dëshirës, karriget të kushtojnë sytë!

HIJA

leave a comment »

Është kjo një ditë vezake

me pole të qartë.

Disi të rëndë por të epshëm

e dukshëm të lëmuar.

Një vezë qelqi elastik,

i nxehtë e i thatë

Pa prarim, por i pastër

si vesë dhe i qëruar

E fryrë me dritë që fryhet,

vëllim dhe trysni

E dritës që brenda buçet

verbër dhe e lodhur.

Mandej shurdhër plas,

e heshtur derdhet

mbi çimenton si ujë të oborrit,

nëpër shkallët-brigje të verandës

e dheut të panginjur aty rrotull,

e rrjedh si çakëll,

rërë e bardhë e zall.

E bije fllad, aromë e trishtë

si shi i kthyer, si hije,

që anash faqesh shket, pasi përplaset,

të ditës që rrethon pamjen.

Pastaj zgjatet edhe më,

por prapë aty brenda,

teksa me mund i zhvishet palmës,

dhe u shqitet bimëve

e del jashtë frëngjive

të gardhit me tulla e kulpra e pluhur

mbi rrugicë dhe me mua mbi të,

që vetë nuk jam,

nuk jam as pasqyrim,

vetëm se kujtohem, pa i mbyllur sytë,

Që vetëm të jem,

.. i çliruar nga përfytyrimi.

Ndërsa shihem e shoh

që prej soletës nën pjergull

që vetëm nuk digjet por kërcet e meket,

këtë ditë vezake që nën të zmadhohet.

Dhe gati e mbështjell kur drita së dyti

dhe prapë nga fillimi ngjeshet

e shumohet nëpër faqet e lugëta

gjerisa prapë rëndet e s’duron e shprishet

si çakëll, rërë e shkumë e artë e zall.

E bije fllad…..por prit, më parë,

ndërsa shihem

mbi mur i zvogëluar,

me shpinë nga unë,

përballë vetes sime më të vogël,

më tej, pak pas rrugicës

lëviz siç unë një sferë e shfryrë

nga e cila një fytyrë kullon,

pa gjë e ngjyrë.

Më pak e zezë se tymi i paepur

që me të përzihet

ndërsa braktis me vrull

zhguallin më të zi të furrit përballë

me ag a perëndim në diafragmë,

por jo me flakë,

veç prush të verdhë e blozë e hi,

në gojën e të cilit

ajo kokë vërtitet

me ngut, por pa qëllim,

me alumin e shtuar dhe

e pakësuar me mish

me krahë si hardhi

që i kanë mbirë nën qafë

e pjesa që e vazhdon…tani:

është flladi që shtrihet

ngushtë dhe rrafsh

derisa bashkohet me

erën më të rëndë

të murit si gardh me

drethkëla e dritare

mbi të cilin siç thashë, jam,

që prapë, nuk është unë e

nuk është as shembëllim, por

vetëm se nuk dua të jem i çuditshëm..

dhe mbështes syrin mbi thjerrëzën

që është kjo ditë, ndërsa jam jashtë

por brenda për të parë

atë që është vrojtim,

të sotmen.

Këtë ditë që e ndan

dukja e hijeve të mia

në dy lente të ngjitura pa kufi.

Sot, kjo ditë vezake që gufon e bie

por jo nga fytyra e as nga dora ime

që vë re: më parë asgjë nuk ka arritur

ose të ish diç në lartësinë e saj

sikur dhe më afër

apo vetëm pak më larg

as librat që në banjë i fsheh

dhe në bodrume

as frutat që në kopshtin tonë i vjedh

dhe për miqësi pa jetë i shes a shfrime,

as dje, më së shumti dje, kur unë kam

jetuar, dje, vetëm atë ditë

..trupin tjetër

pastaj ndalem dhe sytë i mbyll me duar.

Çfarë shoh është pamja ime

përtokë, puthitur me hijen

po aq timen në ujë.

Ky nuk do të jetë kujtim.

Pasqyrimi dhe hija nën të

që më vështronte përmjet tij

dhe mund ta vështroja

unë pa e ditur dhe ajo me zor

tela nga ku kërcenin zëra

që mbi të ranë dhe e turbulluan

si tani, vaji i këngëzuar

i nënës(së tim eti) që ujdis

lehe me mendër,

dhe vargje vetëm me dy të vdekur.

Si çdo ditë përpara mesditës

dhe e prekur nga rimat e veta

qan, por vetëm shkundet pak

dhe çliret,edhe zëri,

si dheu nga duart nën çezëm.

Po unë, kur kam jetuar?

derëzeza o vëlla

syun që terri ta lyp

kur tu mbyll

motra s’ta pa

I hap sytë në një vend tjetër.

Që ishte veshur pak.

Dhe kjo ishte një gjë, tjetra, se

kishte ende dritë dhe parvazi

digjej me bistakë e kaktusë

e shtrati me degë e ashkla

të një gjumi të rrëzuar, të rrallë e papeshë

Ndërsa thjeshtë dhe e hapur

vetëm mbahej në karrige

e kapur pas lapsit mbi tryezë

me gjunjë dhe bërryla

që shkruanin dhe llokoçiteshin

nën fjalë si zëra që nuk rridhnin,

por qëndronin.

Pastaj u ngrit,

….përplasi derën, u ul sikur

të mos ulej askund

Atë çast unë kam ekzistuar,

Kur më së shumti vetëm ndodhesha.

Mbi një pllakë shtrati si thonjëza

të hapura mbi dysheme, në të

cilat me kujdes u fsheha,

dhe me frikë, se mos njihesha.

Teksa ishte e veshur disi

dhe nuk doja të shihja,

që nuk druhej, sepse nuk isha

sepse nuk mund ta di

sepse mund të mos më shihte

Kurse zbardhte me guaska

të ngjitura brenda amforash

në thellësi të ngjitjes

së çasteve të saj konikë

(orë me rërë që ngjitej)

një togë dudish tekstile

shprazur prej ullukëve të retinave me terr,

në largësi të gërryera

nën tjegullën e muzgut

gjithëpo në dhomë

thonjzë që më mbyllte.

Dhe koha qe sytë e mi

të kthyer brenda vetë

ose vetëm kthimi,

dhe unë kujtimi i atij çasti,

dhe dhoma që u bë vetëm hije

dhe bronxi me tallaze të shtangur

i një trupi të zanuar që shkrihej

me derën që s’pushonte dhe mbyllej

vazhdimisht përherë të fundit

dot të më dëgjoje,

ditëzezën kokëmbuluar,

shpirtin hoje-hoje

me vrer të malluar,

po ti re pa sy

e më fle shurdhuar.

buzënë bërë dhe

zemrënë bërë baltë

loti i zi që rrjedh

me helm i helmuar

ç’e do të ta lagë

Dëgjova që mbaroi

Kërkëllima e fletëve që ndriçoi muret

Me krisma çelësash që ndezën dhe hapën

kohën, prapë të dilte nga guva retorike

por të mos qetësohej më nëpër faqe

as zëri i nënës(së tim eti)

që u duk se pushoi, dhe hija

që qe dhoma dhe dhoma që u zvogëlua

në një fletë që vetëm rrëzohej

pranë këmbëve të mia që lëvizën

dhe e kaluan sikur notuan

prej dje

dhe ecën deri sot,

këtë ditë

që nuk mund të rinisë, por ama

formohet nga e para.

Written by d

December 25, 2006 at 6:08 am

Posted in Uncategorized

Leave a Reply