O Klodi

në skenën e zbrazur, spektrale të dëshirës, karriget të kushtojnë sytë!

Manifakturë

with one comment

Krijimi i Tjetrit (sestet)

Qetësia e freskët dhe e brishtë e jastëkut në verë
është ndjenja prej jonesh që shpërbëhen e dëshpërimit.
Gumëzhima e vizatuar e siluetave që ngrihen dhe fshihen,
në kupën përmbys plot tym të ujshëm, të syve që mbyllen,
ngjyra me faqe të rrëzuara që çlirojnë një formë të parë
dhe të prekshme, që është vetëm sipërfaqja e zhdukjes së tjetrit.

Lëndohu gjer në fund, pa frymë, përpara se ti jepesh tjetrit,
të mos mund të thotë njeri, se i mbulove plagët në verë,
ndërsa veshe gjymtimin paformë të çdo të dite më parë,
mahnitjen, që mbi lëkurë është nxjerrë, veç prej dëshpërimit
dhe pasqyrimit tënd të gjallë, në negativin ky pamjet mbyllen,
të sendeve që vdesin më thjeshtë, përtej vendeve ku fshihen.

Zgjidh shqisat që të përgjojnë nga brenda dhe fshihen
prej fletëve që bien nga dora mbi dorën e pakët të tjetrit
që e ndjek gjer në portën e ngjarjeve që mbyllen
dhe vihi së dyti të luhen prej hijeve më të vogla në verë
përballë shembëllimit të larë dhe ujit të dëshpërimit
të fytyrës së mbrame që e sheh të hiqet për herë të parë.

Mos e kujto, por as harro këtë çast sprapsëm të parë,
Fytyrën, njëherësh maska që bie, tejpashmëri e dendur ku fshihen
tiparet e mysta që thithen nga trajta e njëjtë e dëshpërimit.
Sepse kujtesa është përzierje prej gjakut nitrik të tjetrit
në thellësi i mbledhur, ku zhytet fëmijëria jote me verë
duke i dhënë kuptim asaj që nuk kishte, formës ku mbyllen.

Trupi i lirë nga liria i atyre që jashtë vetes mbyllen
Në gjestin a shenjën që pasqyrimi yt ende s’ka parë
Dhe pse ai është i vërteti dhe ti ditari yt i kyçur në verë
Ku gjithë fjalët që ke qenë por s’je, krijohen dhe fshihen
në hapësirën e gjurmuar nga hapat e rremë të tjetrit
që e sjellin drejt teje si hije që merr frymë prej dëshpërimit.

Vështroje fantazmën e tij zbutur prej gjakut të dëshpërimit
Më shumë rrjedh se ecën, brenda dëgjimit të velëzave që mbyllen
Figura e zërave të prerë si kurme që bien dhe i bëhen tjetrit
vazhdimi, përmbi sipërfaqen e dukjes së tij asnjëherë të parë
Metastazat e gjymtyrëve që e rrëmojnë në kujtimet që fshihen
dhe e mbushin, me lëvizjen e turbullt të një mëngjesi në verë

Ndërsa çdo dëshpërim i ri nuk u ngjan atyre që vodhe më parë
Ndërsa ditët e ngelura mbyllen që nga fillimi i ktyre dhe fshihen
në natën e tjetrit dhe përgjojnë, zgjimin e tënd në verë.

Written by d

January 26, 2007 at 7:31 am

Posted in Poezi

One Response

Subscribe to comments with RSS.

  1. Tani,s’e di nese efekti i shkrimeve te tua shkakton pasoja :) ,flas per vehte:nuk arrij qe te lexoj me teper se tre rrjeshta pa e humbur perqendrimin(fluturoj edhe une nganjehere ),kerkoj si i hipnotizuar te perndjek ‘hijet’ dhe siluetat …….Lendohem si mazokist qe te te jepem komplet,por jam i mpireeeeeeeeeee,ndoshta eshte me mire qe te rri brenda ‘gjymtimit’ tim (ne kete rast me forme) te monotonise se perditeshme dhe te shkoj dhe te ha,se vdiqa per buke(te jem normal thua??pjata eshte vene ne tavoline ne mbi gjysem ore,dhe une s’shkeputem dot………te pakten te dija se c’po shkruaja :)
    Gjithe te mirat.
    Edi

    edrus

    January 26, 2007 at 6:14 pm


Leave a Reply