O Klodi

në skenën e zbrazur, spektrale të dëshirës, karriget të kushtojnë sytë!

Archive for February 2007

Vjeshtë

with 4 comments

Kishte rregulluar ndërkohë me dorën e majtë të paktën njëherë a dy, kapelen. Një kasketë teritali gri me nje rigë të mezidukshme të kuqe që formonte teksa e përshkonte horizontalisht dhe vertikalisht, kuadratë të mëdhenj, brenda të cilëve mund të zbuloje fytyra të njohura nëse shihje me vëmendje trajtat e ca njollave të buta, pak më gri e të rralla, të cilat atë çast nuk dukeshin meqënëse coha ishte lagur ca. Në dorën e djathtë mbante çadrën e tij të zezë, lart dhe drejt. Binte shi. Një shi i molisur dhe i ngadaltë që rrëshqiste me përtesë dhe i përgjumur nga sqetullat e qiellit nëpër ijet e shtrira të ajrit dhe jo i gjithi binte në tokë. Ishte megjithatë fundi i vjeshtës. Qe duke dalë Nëntori, ende nuk kishte filluar të bënte vërtetë ftohtë, por Nasipi e kishte veshur me një gëzim të pashfaqur, prapë të ngrohtë, pardesynë e tij të vetme dhe të zgjedhur. I mbërthyer kënaqshëm, gjithë kopsat në vendin e tyre, kapelen po, e kishte rregulluar më shumë se njëherë, dy mesa i kujtohej. Ai ecte – më shpesh sesa zakonisht – me sytë përtokë. I pëlqente asfalti. Gurëzit e vegjël, të bardhë që dukeshin si të limuar me dorë një nga një, në pafundësinë e mizërinë tyre – të shtruar aq mirë nga faqja e tyre e rrafshët, e lëmuar, si ti kishin vënë me dorë e jo me rrul – të gjendur midis bitumit të ashpër ngjyre rëre të lagur që i mbante fort. Vinte re sesi pas çdo hapi, hapej vazhda e asfaltit përanash tij, majtas-djathtas – kur ishte me biçikletë, kjo pamje ishte më bindëse, ndjenja më e fortë, vetëm se nuk mund të shihte përpara rrotës gjithë kohën – ndërsa ai çante si një barkë me rrema, e palëkundur dhe kompakte, rrjedhën e errët të rrugës. Kur mbi trotuar, këndellej të numëronte pllakat dhe kur lodhej aty nga treqinda, pushonte dhe rrekej të ecte vetëm në një rresht pllakash, të ecte drejt, duke vënë re dhe duke u habitur përherë, sesi vija ngushtohej sa më larg të shihje, dhe se atë pikë ku dukej se buzët e pllakave bashkoheshin e ngjiteshin, ai nuk e kishte mbërritur dot ndonjëherë. Asnjëherë nuk e kam provuar deri në fund – mendoi – prandaj. Buzëqeshi padukshëm nën strehën minimale të kapeles dhe vështroi sërish përballë, për të parë se ku kishte arritur. Dhe prapë për të disatën herë, vuri re një fytyrë tjetër që po zgërdhihej përmbajtshëm ndërsa e vështronte dhe që u ul menjëherë sapo ndeshi në vështrimin e tij të habitur dhe hetues. Mendoi të kontrollonte për herë të dytë kapelen, të tretën i dukej, mesa i kujtohej, por vendosi se jo, më mirë jo, ishte e kotë, pastaj ai tjetri do e kuptonte që…që…, do e kuptonte. Vështroi kopsat, pardesyja qe lagur pak, ishte në rregull. Uli sytë sërish, dhe vështroi në asfalt , diku pak hapa më larg një gjethe të kalbur preshi. Mendo ti ngrinte prapë sytë kur të arrinte atje. Pa sërish gurëzit e vegjël të lëmuar dhe vëreu me një kënaqsi gurgulluese sesa i pëlqenin gjërat e lëmuara. Shtrëngoi me dorën e majtë dhe i preku një nga një çelsat në xhep dhe vuri re se njeri prej tyre qe si i ashpër. Ndërkaq kishte arritur gjethen e kalbur të preshit,i nxorri çelsat nga xhepi dhe vështroi atë që nuk i pëlqente. Ishte çelësi i shtëpisë. Një çelës bronzi i nxirë dhe i gërvishtur vende-vende. Do ta limonte. Një tjetër fytyrë në të majtë, pak metra më tutje po nënqeshte dhe u kuptua menjëherë se me të. Hej punë o dreq – mërmëriti me nerv dhe i pasigurt nën zë. Dora u bë të shkonte instiktivisht tek kapelja sërish, por përfundoi të prekte fytyrën e tij të imët dhe të zbrazur. Mos ishte bërë me të zi? Po ku? Jo nuk kishte mundësi. Po vinte nga zyra. Nuk kish prekur asnjë letër kopjative sot. Fytyrën e kishte nga mesi i hundës dhe poshtë të lagur. Nxorri shaminë dhe u fshi. Po i sillej ndërmend se kishte diçka që nuk shkonte. Ishte pothuaj i sigurt se sapo kishte ndodhur diçka.Apo diçka që bëri së fundi, duhet ti thoshte një gjë tjetër. Filloi të ndiente një ankth të ethshëm por miqësor, të ngjashëm me atë që të kap kur nuk të kujtohet ndonjë emër i njohur, kur të duket se fjalës që po kërkon ia njeh zanoret dhe ndonjë tingull tjetër të ngjashëm, por nuk e gjen dot. Çfarë i duhej të mendonte? Çfarë sapo bëri? Nuk i kujtohej! Kishte mbërritur pothuaj në fund të rrugës që e shpinte në pallatin e vet, dhe si përherë, si çdo kush, vështroi dritaren e tij në kat të pestë. Pa të shoqen që rrinte me flokët e vet të krehshëm, të rrallë, dhe pothuaj horizontalë, pas xhamave. Iu duk se po përpiqej ti thoshte diçka. Po i tregonte grushtin dhe po ia tundëte lehtë. Pastaj filloi ta lëvizte grushtin e mbledhur, të ngritur në lartësi midis qafës dhe gjoksit dhe të shtrirë paksa përpara, si të ishte duke tërhequr dorezën e ujit të banjës. Si ti binte ndonjë zileje me ushkur, por më energjikisht. Pastaj qëlloi me gishtin e saj tregues tëmthin e djathtë, i vuri duart në mes, pastaj prapë me të njëtin gisht tregoi tavanin duke e lëvizur dorën minimalisht lart e poshtë sikur ti thoshte; ‘këta lart, këta lart’. Meqenëse e dinte se nuk kishte njerëz lart, pallati kishte vetëm pesë kate, edhe e shoqja e dinte këtë s’bëhej fjalë, mendoi se i kishin vjedhur antenën. Nuk ishte hera e parë. Por pastaj e pa dhe vuri re se antenën që prej herës së fundit që ia kishin grabitur, e mbante në ballkon. Hej dreq o punë – mumuriti nëpër dhëmbë por vendosmërisht – Të jetë duke pikuar vallë?! Vështroi soletën prej betoni, 14 polç e trashë, nuk kishte mundësi. Ai vetë punonte në një ndërmarrje ndërtimi, kaq gjë e dinte. Dhe ai inxhinieri sot, më acaroi. Gomari. Këto pa ia ndarë sytë për më shumë se ndonjë çast të shoqes. Çfarë o thotë ai shejtan – pëshpëriti i habitur dhe i dorëzuar – Hë?! Hajde merre vesh. Po prit o e uruar të vij pa llafosemi…ja ja erdha! Me këto mendime dhe disi i shqetësuar po kalonte rrugën përballë pallatit, iu shmang me ngathtësi gropave që ishin hapur prej disa vitesh për të mbjellë pemë dekorative dhe që tani brenda të cilave, rritej një bar i gjatë dhe mashtrues që sapo kishte filluar të zverdhej. Jo – i tha vetes – nuk bie më aty ti jo. Eci përgjatë bordurës së pallatit, u kthye dhe kur arriti hyrjen, uli çadrën dhe vuri re se e kishte mbyllur tashmë. Kur e mbylla dreqin — i shkoi nëpër kokën e shogët nën kasketë – Nuk më kujtohet fare, as ajo e kopile S-ë nuk mu kujtua sot – do i tregoj Minos do i tregoj ç’më ndodhi – dhe me këto përsiatje, shkundi çadrën që ishte mbyllur me aq kujdes dhe rrasët dhe teksa vuri re se kishte uri dhe se donte të hante ndonjë gjë të ngrohtë dhe me lëng, filloi të ngjiste shkallët.

Written by d

February 12, 2007 at 5:45 pm

Posted in Nasipi