Archive for March 2007
pamje
Duket e qartë se shurdhimi duhet të jetë prodhim i ndonjë dëshire të errët dhe të papërkulshme për të mos dëgjuar më asgjë, t’ia presësh fytin tingullit si një akt rezistence kundër bezdisë së zërit dhe mesazheve. Sepse bota është qashtër një reportazh i mrekullueshëm vizual. Janë komentet që janë të padurueshëm!

(Nuk është fjala për komentet tuaj)

…por për të mitë!
vjetërsi
Diku në Kolorado, vija e mistershme kufizuese ku ujrat ndahen – duke rrjedhur drejt Atlantikut nga njëra anë dhe drejt Paqësorit nga ana tjetër. Një vijë që është po aq e imagjinuar në fakt, sa ajo që ndan të shkuarën nga e ardhmja – një linjë që ne e quajmë e tashmja, dy përmasat e kohës po ashtu duke rrjedhur brenda thellësish oqeanike.
Tek njeriu janë mendimet, jo lumenjtë ata që ndahen. Si ujrat kontinentalë, ato rrëshqasin vjedhurazi dhe paparashikueshëm në drejtime të kundërta për tu zhdukur përherë në ndonjë oqean impersonal. Kështu ato ide, burimet e të cilave ishin më të afërtit do përfundojnë të jenë më të largëtit nga njeri tjetri. Është në të njëjtën linjë imagjinare, të njëjtën kreshtë, që e Majta dhe e Djathta, burri dhe gruaja, e mira dhe e keqja dhe gjithë gjuhët ndahen përgjithmonë.
Megjithqë nuk ka ndonjë qendër të botës, është përherë në origjinë kjo vijë kufizuese e vizatuar prej natyrës, e cila krijon me të diç më shumë sesa ndryshim; një divergjencë të pakalueshme. Kjo do të thotë se në një moment të caktuar, jo vetëm që gjërat ndahen, por ashtu si konstelacionet e shenjave apo ato të hapësirës, ato vazhdojnë pambarim të largohen – tensioni midis tyre zvogëlohet në pafundësi duke arritur më së fundi një shpërfillje oqeanike.
Po ashtu si ujrat që vijnë prej të njëjtit qiell dhe të njëjtëve shira, ndahen po kështu fatet e njerëzve, duke ardhur prej së njëjtës skenë të parë fare, marrin drejtime të ndryshme. Por ndoshta ato takohen prapë diku, po ashtu si meridianët të cilët fillojnë të divergjojnë në një pol vetëm që të mund të konvergojnë sërish tek tjetri.
Për sa na takon ne, në secilën anë të vijës imagjinare të vullnetit, çdo vendim krijon dy rrëpira të kundërta,në të cilat jeta derdhet në drejtime të kundërta – çdo fraksion i paracaktimit lëviz pakthyeshëm larg tjetrit. Por çdo fat personal, siç shiu dhe retë, do shpërndahet gjithandej sërish në një cikël impersonal. Porse përsa i përket kohës, çdo çast është vija kufizuese ku e ardhmja dhe e shkuara ndahen për mos tu bërë më bashkë kurrë. Për më tepër, ekzistenca është mësëshumti divergjenca më e madhe ndërmjet të shkuarës dhe të ardhmes derisa vdekja i bashkon të dyja në një të tashme absolute.
Ndarja e ujrave duket të jetë një largim paradoksal, poaq a ashtu si ai i majave të maleve; majat më larta – sepse janë më të lartat janë dhe më larg nga njëra tjetra – janë po ashtu më të afërtat.
Vetëm në një kontinent, vetë pothuaj irreal, ujrat nuk divergjojnë por bile konvergjojnë përdrejt qendrës, për të rrjedhur në të njëjtën shkretëtirë. Australia. Simboli i një fjale ku ndarja nuk ka ndodhur, një botë letale, fetale, e krruspullt në të cilën ujrat, kafshët (marsupialët) dhe njerzit kthejnë në origjinë dhe nuk ndjekin rrjedhën e tyre, ata shemben në skenën e fillimit e nuk e rrëmbehen prej fundit. Universi antipodal i ëndërrave.
punk-t
Arrij gjithmonë në kohën e duhur edhe pse nuk bëj asnjë përpjekje. Ka një lloj fataliteti tek kjo, i bazuar mbi një sistem të pagabueshëm të brendshëm të kohëmatjes. Natën dhe ditën, edhe nëse zgjohem papritur, gjithmonë e di sesa është ora. Obsesiv? Me siguri. Por në kulturën ku jetoj është koha vetë që është neurotike. Prej çastit që ora 2 është thjeshtë dhe vetëm ora 2, nuk ngelet më asnjë zgjidhje normale për problemin e kohës. Nëse ti arrin në kohë, apo më vonë, apo më përpara, asgjë nuk është më psikologjikisht normale . Nuk ka më ndonjë mundësi për të patur një marrdhënie të lirë me kohën, përveç ndoshta kur ajo njëjtësohet, shkrihet me hapësirën dhe shpejtësinë.
varfëri
Njerëzorja shfaqet në një formë të prekshme dhe të mistershme vetëm tek ata të cilëve kjo (njerëzorja) u mungon tërësisht. Ndoshta prania e saj e vërtetë mund të gjendet vetëm tek kafshët, siç mund të vërehet në veprën e Kannetit. Ideja e njerëzores mund të vijë vetëm prej tjetërkund, jo prej vetvetes, jonjerëzorja është e vetmja provë e ekzistencës së saj. Sa herë bëhen përpjekje për ta përcaktuar, përkufizuar këtë – duke e përjashtuar doemos jonjerëzoren – ajo duket qesharake. Kur përpiqet të aktualizojë konceptin e vet – në humanizëm dhe humanitarianizëm për shembull – ajo menjëherë kalon përmatanë vetes në dhunë dhe absurditet. Mendimi rron vetëm në skajet më të largët të njerëzores, në kufijtë sinusoidalë të jonjerëzores. Nëse, ashtu siç Kanetti shkruan, se vetë ideja e metamorfozës zhduket prej gjithësisë kur apo nëse kafshët zhduken, atëherë nuk ka për të patur as njeri dhe as mendim më.
peshku.inc.
Shkatërrim i florës neuronale nga kapërdimi i prodhimeve të medias të cilave u ka kaluar afati i skadencës që përpara se të hidheshin në qarkullim. Shkatërrim i florës intelektuale prej gëlltitjes masive të prodhimeve konceptualë, të sterilizuar apo të ruajtur artificialisht, si gjuha e stereotipizuar e politikës, duke përdorur baktericidë, fungicidë dhe kundër-editeikë. Shkatërrim i florës gjuhësore e cila, si shkatërrimi i florës intestinale, prodhon diarre verbale, një çrregullim ndalues të tretjes dhe diç si kakolalia, një koprolalia e cila mund të pakësohet a ndalet vetëm nëpërmjet një serie të gjatë trushplarjesh patafizike.
lajm
Nga burime të sigurta, jemi informuar – sipas të dhënave që vijnë prej gjithë agjensive tona – se dielli nuk është ngritur sot. Tani është ora 2:26 pm (Eastern Time) drita e diellit që pritej të vërehej në orën 6:21 am nuk ka mbrritur akoma. Kjo vonësë e paprecedent nuk është për shkak të ndonjë eklipsi. Mund të jetë vallë për shkak të një zvogëlimi në shpejtësinë e rrotullimit të tokës? Shkencëtarët me të cilët kontaktuam nuk ishin të aftë të jepnin kurrëfarë shpjegimi. Ne do t’ju vemë në dijeni çdo orë për çdo informacion të ri dhe natyrisht, veçanërisht për lajmin e lindjes së diellit të cilin, shpresojmë ta shohim nga një moment në tjetrin.
Njëri nga korrespondetët tanë pati idenë e hipotezës se ndoshta e gjithë kjo mund të mos jetë në fakt, zvogëlimi i shpejtësisë së rrotullimit të tokës por, ai i shpejtësisë së dritës. Nëse kjo shpejtësi është pakësuar ndjeshëm dhe çmueshëm gjatë natës, dielli nuk ka për tu ngritur. Nëse vazhdon të ngadalësohet, do të kemi natë të tejzgjatur mbi tokë, përaq kohë sa do ti marrë kësaj drite më të avashtë, të mbrrijë tek ne. Ngadalësimi shkallë-shkallë i dritës do të na sjellë ne drejt fundit, apo të paktën më së fundi, në një ripërkufizim të diellit tradicional.
mbresa
Revolucioni i “përvojës së jetuar” është pa dyshime fare më i ligu. Revolucioni që fshiu tutje, e duket përfare, fshehtësinë me të cilën secili mbështillte jetën e vet, diç që e ka shndërruar jetën në një “reality show” gjigand. Asaj që i janë hequr zinxhirët (e punuar) dhe është nxjerrë në “dritë” prej gjithë revolucioneve të dëshirës, shprehjes, fantazisë dhe analizës nuk është dramaturgjia e nëndërgjegjes apo teatri i mizorisë, por vetëm a po aq thjesht, teatri i banalitetit. Nuk është tabuja e impulseve që është hequr qafe, por ajo e kotësisë, naivitetit, veçorisë dhe veçanësisë. Çfarë është çliruar nuk është përveçmëria e çdo individi, por idiotësia e tyre specifike, domethënë, budallëku që ata kanë të përbashkët si masë. Idiotësia e veçantë e kohës sonë nuk është më e dalluar si e ndryshme prej mençurisë. Është nakatosur me të. Nuk është më e pashkollë, por me vërte, në të vërtetë e mbinformuar dhe disponon të njëjtën gjallëri refleksive si inteligjenca artificiale. Shkalla Xerox e budallëkut shkrihet me shkallën Xerox të mençurisë. Gjithësesi, rritja ulëritëse statistikore e budallëkut të përgjithshëm në botë është ngushëlluese, sepse tjetri mund të mendojë se një e tillë gjendje lëngëzimi nuk mund përveç se të prodhojë një kundërveprim të dhunshëm dhe se bota nuk mund të marrë fund përderisa në një gjendje a përkufizim kaq patetik të punëve. Kjo i lë ca vend shpresës që mund të strehojmë kundër së ardhmes. Por ndonjë tjetër mund edhe të përtypë frikën e kundërt që; budallallëku eksponencial do krijojë a shkaktojë një zënie nga deti në të thatë.
auto
Më mirë butësia e pasigurisë sesa brutaliteti i vet-evidencës. Sidoqë të jetë, ky i fundit nuk është ndonjë siguri e madhe po ashtu. Shenjat më dallueshme – si ajo e besnikërisë përshembull – mund në çdo rast të veçantë, të interpretohen në një mënyrë të kundërt, meqë ato prodhohen po aq mirë – dhe shpesh edhe më mirë akoma – prej jobesnikërisë.
elips
Qetësia dhe paqetësia që sjell të qenit i shlyer prej gjithë konflikteve, prej gjithë rivaliteteve tokësorë. Eshtë saktësisht mu tek ky skaj i qetë, prej të cilit gjithë shkaqet e ankthit janë zbuar, ku dikush ndjen ti gushojë në kufijtë më të largët të një paqtimi të përsosur –pra kriminal– një ankth të kundërt. Një farë ankthi që nuk duket të jetë i psiko-shpërbërshëm, është i paarsyeshëm, i paftillueshëm dhe instiktiv. Një farë ankthi që nuk vjen prej së pandërgjegjshmes fizike, por prej trupit, prej trashgimisë sate biologjike dhe mund të fashitet vetëm duke e rraskapitur trupin.
BiZ
Asnjë grua nuk e përvetëson një dëshirë që qëllimisht nuk ia shprehin vetëm për hir të vlerësimit ndaj saj. Ajo është shumë e lumtur ta mbajë çështjen pezull, siç është strategjia e Zotit, sipas Gracianit, ti mbajë njerzit vazhdimisht në pritje. Ajo e shijon deri diku përfytyrimin e asaj dëshire mëvete, por duke bërë kështu ajo shumon obsesionin tek ai që e dëshiron atë. E shton deri në atë pikë sa në fund fare ajo posedohet prej një burri që është i obsesionuar tashmë vetëm me dëshirën e vet . Është mu këtu ku gruaja vërtetë shndërrohet në një objekt; kur i vetmi njeri që e dëshiron atë është në fakt i shqetësuar vetëm për dëshirën e tij. Por në fund kjo u rregullohet për shtat të gjithëve, meqënëse gruaja po ashtu preferon të kënaqet nëpërmjet ndërmjetësimit të një dëshire përjetësisht të papërmbushur.