Archive for April 2007
prill
Është indiferenca, e natyrshme apo e shpikur, që e ka çuar atë tek ky sistem i ndërlikuar dhe i gjymtuar jete dashurore: kurrë dy gra në të njëjtin vend, nëse ato do bëheshin xheloze apo shoqe, gjithë gjëja do shembej. Është prapë e njëjta gjë që e çoi atë tek ky gjymtim mendor i poleve të kundërt të vullnetit duke e bërë vendim-marrjen ngushtësisht të pamundur. Dhe po ashtu në shpërndarjen, në vizatimin dhe çerekzimin e koncepteve, sesa një jetë e rehatshme nën ekuivalencën e neurozës bashkshortore; përdorimi paqësor i koncepteve. Pse kjo preferencë paradoksale? Ndjenja e thithjes së njëfarë energjie prej kësaj padyshim. Por më rëndësishëm, vizatimi dhe çerekzimi, gjymtimi, janë forma torture dhe dikush mund të torturojë inteligjencën po ashtu siç dikush mund të torturojë dëshirën dhe trupin. Dhe në këto tortura dikush provon sigurisht ëndje.
gjendje
Shprehjet e respektit dhe admirimit të lënë vetëm të trazuar. Kjo ndodh sepse tjetrit ia vjedhin mbrojtjet e mundshme nëpërmjet pamundësisë për të mohuar apo përgjigjur tjetrit (me një shenjë ekuivalente). Është pra si të paralizohesh prej një injeksioni insuline. Admirimi është forma intravenoze e agresivitetit. Prandaj është kaq e vështirë te shprehet apo të merret. Nëse është e vërtetë që është pasion, atëherë shprehja e tij është në llojin e krimeve prej pasionit.
shtazëri
të vogla bashkohore!
Mbrojtje – Kopshtet zologjikë manifestojnë një pasion të paepshëm për ruajtjen e llojeve që rrezikojnë të zhduken. Një numër prej këtyre llojeve mbahen nën kujdes vetëm që më vonë të lihen sërish të lirë në mjedisin e tyre të egër. Ndërkohë mjedisi i tyre i “egër” është zhdukur. Ndodh njësoj me qeniet njerëzore, idealisht ata riciklohen në qeli izolimi (thalasoterapi, psikanalizë, klube luksozë shëndeti, dizintoksikimi, spitale, çmendina, burgje, azile) dhe më vonë, i rikthejnë në jetën sociale, ndërkohë sidoqoftë, mjedisi social është zhdukur.
Riprodhim – Ne kemi marrë këto vezë prej këtij tigri femër…i kemi fertilizuar in vitro me spermën e një tigri Sumatrez dhe për momentin embrionet po i konservojmë. Më vonë këto embrione do vendosen në një nënë surrogato prej një lloji më të zakonshëm tigrash, ata Siberianë.
Nutricion – Pse vdesin kafshët e kapura? Nga mërzia. Meqë nuk mund ta gjejnë më vetë ushqimin. Për të zëvendësuar këtë aktivitet vital duhet gjetur një mënyrë që ta replikojë. Për macet e mëdha varin një pulë me një spango prej tavanit. Për majmunët fshehin fruta nëpër vrima të hapura në mur apo drurë falsë. Për shpendët lëshojnë insekte nëpër kafazë…Duhet bërë e njëjta gjë me njerëzit. Pse vdesin njerëzit nga shoqëria? Meqë nuk kanë asnjë aktivitet vital, nuk u duhet të luftojnë për të gjetur ushqim.
Transparencë – Njerëzit nuk durojnë më dot ti shohin kafshët pas kangjellash, kështu që këto kanë filluar të zëvendësohen me xhama.
ditë
jo sot
Një teori e mbyllur përnga jashtë, por e hapur nga brenda. Pa komente, pa perspektivë dhe pa prurje. Çfarë vjen brenda nuk mundet të dalë më jashtë (dhe për këtë arsye është shumë e vështirë të futesh brenda). Nuk prodhon më informacion në kuptimin e vërtetë të fjalës – është një formë poetike e diziluzionimit të kuptimit. Pak a shumë, siç është horizont një ndodhi absolute në fizikë po ashtu duhet të ketë horizont të konceptit absolut. Asgjë në këtë teori nuk i jep përgjigje pyetjeve konvencionale, të tashme apo atyre filozofike. Përgjigja të tilla janë të hapura ndaj një hapësire tjetër; asaj të lëvizjes së përveçme dhe të përherëshme në një orbite të brendëshme efekti i së cilës, i prodhuar dhe shfaqur në botë, është vetmia.
brerje
Mendimet përdorin në një mënyrë cinike dhe imorale kuptimin, të vërtetën, referencat dhe realitetin. Formula më modeste e përdorshme ka për qëllim të korruptojë konceptet. Prostituon idenë në gjuhë në vend që të prostituojë gjuhën ndaj idesë nën maskimin e “ideologjisë”. Në vend që ketë një përdorim radikal mendimesh autentikë, përdor sipërfaqësisht mendime që vijnë prej tjetërkund në sajë të një qëndrimi të nderur ndaj vetes (Warhol: “Sikur të isha i sigurt se çdo gjë vjen prej tjetërkund…”).
Nuk është çështja ti veshësh ndonjë lloj pozitiviteti mendimit, sepse puna e tij është saktësisht ajo e të marrurit nga e vërteta dhe ligjitimiteti i ekzistencës. Dhe radikaliteti, padyshim, nuk ka ndonjë funksion tjetër, përveçse të shtojë bonusin e kënaqësisë.
video
indiferenca
Ashtu siç lëvizja e ndërtimit teknik të trupit dhe dëshirës nuk ka sesi të mos përfundojë në pornografi, po ashtu gjithë lëvizja e një shoqërie indiferente përfundon në viktimizim dhe urrejtje.
Të dënuar me imazhin tonë, të dënuar me identitetin tonë, me “pamjen” tonë dhe duke u bërë objekti ynë i kujdesit, objekti i dëshirës dhe vuajtjes sonë, ne jemi indiferentë ndaj çdo gjëje tjetër. Dhe ne fshehurazi dëshpërohemi prej kësaj, ne jemi ziliqarë ndaj çdo forme pasioni, origjinaliteti apo fati. Çfarëdolloj pasioni shihet si një fyerje ndaj indiferencës së përgjithshme. Kushdo që me pasionin e vet, ç’maskon atë sesa indiferent dikush është, sesa frikacak ti je apo sa me gjysëm zemre, i cili nëpërmjet forcës së pranisë së tij apo vuajtjes së tij zbulon sesa i pakët është realiteti yt, duhet të zhdukur. Ja pra tek është Tjetri i ringjallur tashmë, armiku më në fund i ritrupëzuar, i cili duhet të nënshtrohet apo shkatërrohet.
Të tilla janë pasojat e pallogaritëshme të pasionit negativ të indiferencës, kjo ringjallje histerike dhe spekulative e tjetrit.
Rracizmi përshembull, logjikisht duhet të ishte zhdukur apo rënë majftueshëm me përparimin e ideve të Iluminizmit dhe demokracisë. Në fakt, sa më shumë hibride bëhet kultura, sa më shumë bazat teorike dhe gjenetike të rracizmit rrënohen e bëhen pluhur, aq më i fortë ai bëhet. Por kjo sepse kemi të bëjmë me një objekt mendor, një konstrukt artificial i bazuar në erozionin e përveçshmërisë së kulturave dhe hyrjen në sistemin fetishist të ndryshimit. Për aq kohë sa ka Tjetërsi, tëhuajtje dhe marrdhënie dualiste (mundësisht të dhunshëme) – siç mund të shihen në studimet antropologjikë prej në shekullit e 18-të deri në fazën koloniale – nuk ka rracizëm me këtë emër. Njëherë që është humbur kjo marrdhënie “natyrore”, hyhet në një marrdhënie fobike me tjetrin artificial i cili, idealizohet nga urrejtja. Dhe sepse shihet si Tjetri ideal, kjo marrdhënie është eksponenciale: asgjë nuk mund ta ndalë, meqë gjithë moda e kulturës shkon drejt përndjekjes fanatike të ndërtimit të ndryshueshmërisë, një marrje e pandalshme me mend e së njëjtës për tjetrin. Një kulturë autiste e ngritur prej altruizmit fals.
pohim
Me çfarëdo materiali duhet të gjendet një lloj përmbarimi poetik i cili, përfshin dhe ngërthen gjithë fragmentet e një të tëre të fundme. Dikujt, thjesht do i duhet të gjejë ligjin që rregullon prapakthyeshmërinë e detajit më vogël, si në poezi – anagrama dhe anamorfoza e gjithë fragmenteve – ashtu që të mos ngelet asgjë jashtë, asgjë e papërmendur. Çdo gjë duhet të ketë vendin e vet, çdo gjëje duhet të vijë fundi.
Çështja nuk është sidoqoftë ajo e grumbullimit të fakteve koherentë, por marrja prej një njësie arbitrare dhe paraqitja e asaj njësie të zgjedhur ashtu siç është, është gjëja më e mirë. Si bota, por jo si “bota më e mirë e mundëshme”, nuk ka botë të tjera, vërdallë është vetëm kjo që është. Ashtu siç është, siç duhet pranuar, si në lojën e shahut, rregullat janë ato më të mirat të mundëshme. Saktësisht për atë se ato janë arbitrare, nuk ka pengesa për funksionimin e tyre optimal. Ligjet e mendimit janë të së njëjtës natyrë (dhe është kështu formalisht në kundërshtim me gjithë ligjet nën të cilat vepron realja).
kufizime
Një tavolinë jashtë në një kafe. Një grua e re është duke pritur. Ajo mban një karton në dorë që fton këdo që do donte ti përgjigjej kërkesës së saj për të kaluar kohë bashkë. Në fakt qëllimi i saj është krejtësisht një tjetër. Ajo po bën një studim mbi tipat e burrave që i përgjigjen një reklame të tillë. Për të shmangur çfarëdolloj keqkuptimi, ajo do ti spjegojë menjëherë atij që afrohet se si është puna. Së fundi një burrë i afrohet dhe ajo i flet. Ai i thotë se po ashtu është duke bërë një studim mbi tipat e grave që mbajnë ftesa të tilla. Tek e fundit, rrjedhojat e kësaj janë njësoj siç ato të kolonave personale. Ata përfundojnë të rrëzohen në krahët e njeri-tjetrit.