xerox
Nëse njerëzit krijojnë makina inteligjente, apo fantazojnë për to, ndodh, ose sepse ata fshehurazi dëshpërohen për inteligjencën e tyre, ose sepse ata shëmben nën peshën e një inteligjence të përbindëshme dhe të papërdorshme të cilën ata përpiqen ta ekzorcizojnë duke ua transferuar makinave ku ata mund të luajnë dhe këndellen me të. Duke ua besuar këtë inteligjencë të barrëshme makinave, ata ndihen të çliruar prej çdo përgjegjësie ndaj njohjes, po ashtu siç teksa ua besojmë pushtetin politikanëve, na lejon të përbuzim çdo aspiratë tonën për pushtet.
Nëse njerëzit ëndërrojnë për makina që janë unike, që janë të pajisura me gjenialitet, është sepse ata dëshpërohen për unicitetin të tyre, ose sepse ata preferojnë të mund të bëjnë pa të – ta gëzojnë atë, si të thuash, nëpërmjet delegimit falë makinave. Ajo që këto makina ofrojnë është spektakli i mendimit dhe duke i manipuluar ato, njerëzit i kushtohen më shumë spektaklit të mendimit sesa mendimit vetë.
Jo më kot ato përshkruhen si ‘virtuale’, sepse ato e lënë mendimin në pritje pambarimisht duke e pranguar daljen e tij me arritjen e njohjes së plotë. Akti i mendimit vetë është pra kështu i lënë tërësisht mënjanë. Vërtetë që çështja e mendimit nuk mund të ngrihet më, po ashtu siç nuk mund të ngrihet çështja e lirisë së brezave të ardhshëm, të cilët do kalojnë nëpër jetë ashtu siç ne udhëtojmë në ajër, të rripuar në ndenjëset e tyre. Këta Njerëz të Inteligjencës Artificiale do e përshkuajnë hapësirën e tyre mendore të lidhur këmbë e duar me kompiuterat e tyre. I palëvizshëm përballë kompiuterit të tij, Njeriu ynë i Ri Virtual bën dashuri nëpërmjet ekranit dhe jep mësime duke përdorur telekonferencën. Ky është çmimi që atij i duhet të paguajë përderisa është operacional. Po ashtu siç syzet dhe lentet, diskutueshëm, do evoluojnë një ditë në proteza të trupëzuara për një lloji që do ketë humbur vështrimin, është po aq diç që të frikëson ajo se; inteligjenca artificiale dhe hardware-i që e mbështet do të bëhen një ditë proteza mendore për një lloji që do ta ketë humbur aftësinë për të menduar.
Inteligjenca artificiale nuk përmban fare inteligjencë sepse nuk përmban fare asnjë artific. Artifici i vërtetë është artifici i trupit nën lëngatën e pasionit, artifici i shenjës në joshjen, artifici i ambivalencës në gjestin, artifici i elipsit në gjuhë, artifici i maskës përpara fytyrës, artifici i vërejtjes së saktë që tërësisht shndërron kuptimin. Të ashquajturat makina inteligjente përdorin artificin në kuptimin më të largët të fjalës, duke e copëtuar artificin gjuhësor, seksual dhe atë të akteve të perceptimit në elementet e tyre më të thjeshtë, duke i numerizuar ashtu që të mund të risintetizohen sipas modeleve. Ato mund të gjenerojnë gjithë mundësitë e një programi apo një objekti të mundshëm. Por artifici nuk ka të bëjë kurrë dhe fare me atë që gjeneron por thjesht me atë që shndërron realitetin. Artifici është fuqia e iluzionit. Këto makina kanë aftësinë e paart të llogarisë së kulluar dhe lojrat që ato ofrojnë janë të bazuara vetëm në përllogaritje dhe shkartime. Në këtë kuptim mund të thuhet se ato janë të virtytëshme po aq sa dhe virtuale: ato nuk mund të shëmben kurrë nën objektin që ato janë; ato janë të imunizuara edhe ndaj joshjes së dijes mbi veten e tyre. Virtyti i tyre qëndron në tejpashmërinë, funksionimin e tyre, në mungesën e tyre të pasionit dhe artificit. Inteligjenca Artificiale është një makinë beqare. Çfarë duhet të dallojë përherë mënyrën sesi njerëzit funksionojnë nga ajo sesi makinat funksionojnë, qoftë dhe makinat më inteligjente, është dehja, kënaqësia e pastër që njerëzit përjetojnë prej funksionimit. Shpikja e një makinë që mund të ndiejë kënaqësi është – lumturisht – diçka ende shumë larg apo më saktë matanë mundësive njerëzore. Lloj-lloj pjesësh rezervë janë bërë të mundëshme për njerëzit që ti ndihmojnë ata të arrijnë përmbushjen, por asnjë e tillë nuk është shpikur ende që të marrë kënaqësi në vend të tyre. Ka të tilla proteza që mund të punojnë më mirë se njerëzit, të ‘mendojnë’ apo vijnë vërdallë më mirë se ata (apo në vend të tyre), por nuk ekziston hiç ndonjë gjë e tillë e as nuk është skicuar nga pikëpamja teknologjike apo në terma të medias, diç që jetë zëvendësuese për kënaqësinë e njeriut, apo për kënaqësinë e të qenit njeri. Që kjo të ndodhë, makinat duhet të kenë një ide mbi njeriun, të jenë të afta ta shpikin njeriun – por përderisa është njeriu ai që i ka shpikur ato tashmë, është shumë vonë për të kundërtën. Ja pse njeriu mund të jetë gjithmonë më shumë sesa është dhe makinat nuk mund të jenë kurrë më shumë sesa janë. Edhe makinat më inteligjente nuk janë veçse ato çfarë janë – përveç ndoshta kur ndonjë aksident apo dështim ndodh, ngjarje që mund ti vishen ndonjë dëshire të errët nga ana e makinës. Makinat nuk mund as të shfaqin atë surplus ironik apo funksionim të tepërt e cila përbën kënaqësinë ose vuajtjen, falë të cilave qeniet njerëzore tejepërtejshkojnë fatet e tyre – duke ardhur kështu më afër raison d’être të tyre. Kader, për makinën është e pamundur të tejpërtejshkojë operimin e vet – gjë që ndoshta shpjegon melankolinë e thellë të kompiuterit. Gjithë makinat janë beqare.
Beqaria e makinës ngërthen beqarinë e Njeriut Telekompiuter. Falë kompiuterit të tij apo procesuesit të fjalëve, Njeriu Telekompiuter i ofron vetes së vet spektaklin e trurit të tij, inteligjencën e vet në punë. Ngjashëm, nëpërmjet linjës së tij të llaf-llafosjes(chat) apo SMS-së, ai mund ti ofrojë vetes së vet spektaklin e fantazive të veta, atë të një kënaqësie ngushtësisht virtuale. Ai ekzorcizon sëbashku, inteligjencën dhe kënaqësinë në ndërfaqsimin me makinën. TJETRI, bashkëllafuesi, nuk është kurrë vërtetësisht pjesëmarrës: ekrani funksionon shumë si pasqyrë, sepse ekrani vetë, si lokus i ndërfaqësimit, është për të shqetësimi i vërtetë. Një ekran ndëraktues (interactive) e shndërron procesin e rrëfimit në një proces të ndërshkëmbimit midis Njërit the të Njëjtit. Sekreti i ndërfaqësimit është se Tjetri këtu është virtualisht i Njëjti: tjetërsia, vjedhurazi është komplotuar dhe zbuar tutje nga makina. Skenari më i mundshëm i këtj komunikimi është se përdoruesit e llaf-llafimit gravitojnë nga ekrani tek bisedat telefonike e pastaj në takime ballëpërballë a kokëmëkokë…dhe pastaj çfarë? Le ti telefonojmë njëri-tjetrit dhe pastaj prapë në çat, sepse është në fund të fundit më erotik ngase edhe ezoterik edhe i tejpashëm. Ky është komunikimi në formën e vet të kulluar, sepse nuk ka intimitet këtu përveç se me ekranin dhe me një tekst eletronik që nuk është më shumë sesa një dizenjo e qëndisur në jetë. Një lloj i ri tërheqjeje Platoniane prej ku vështrohen hije-format e kënaqësive të trupit duke parakaluar. Pse ti flasim njëri-tjetrit kur është kaq thjeshtë të komunikosh?
Ne kemi jetuar dikur në një botë ku mbretëria e së imagjinueshmes ishte e drejtuar prej pasqyrës, nga ndarja e njëshit në dy, nga teatri, nga tjetërsia dhe tëhuajtja. Sot mbretëria i takon ekranit, ndërfaqësimit dhe kopjimit, përngjitjes dhe rrjeteve. Gjithë makinat tona janë ekrane dhe ndëraktimi i njerëzve është zëvendësuar prej ndëraktimit të ekraneve. Asgjë e shkruar në këto ekrane nuk bëhet ndonjëherë me qëllimin që të dëshifrohet deri në fund, përkundrazi, ajo është e supozuar të eksplorohet menjëhershëm, një abreaksion i atypëratyshëm i kuptimit, një qark i shkurtër midis poleve të përfaqësimit.
Të lexosh një ekran përplot informacion është diç krejt e ndryshme nga të shohësh. Është një formë eksplorimi në të cilin syri lëviz përgjatë një linje të thyer dhe pafundme. Marrëdhënia me bashkëllafuesin në komunikim, si marrëdhënia me dijen në përdorimin e të dhënave, është e ngjashme; e prekshme dhe eksploruese. Një zë i gjeneruar nga kompiuteri, ashtu si një zë në telefon, është një zë i prekshëm. Nuk është më në fakt saktësisht zë, po ashtu siç të shohësh ekranin nuk është saktësisht të shohësh. Gjithë paradigma e së ndijueshmes ka ndryshuar. E prekshmja këtu nuk është ndjesia organike e të prekurit; ajo thjesht bënfjalë për një përngjitje epidermike të syrit me imazhin, zhbërjen e largësisë estetike të përfshirë në shikimin. Ne i afrohemi edhe më ekranit, vështrimi ynë është, siç qe, i shpërndarë mbi imazh. Ne nuk e kemi më largësinë e spektatorit nga skena – gjithë konvencionet teatralë janë zhdukur. Ne biem kaq kollaj në komën e imagjinatës së ekranit për shkak të asaj se ekrani sjell një boshllëk të pandërrueshëm, të cilin ne ftohemi ta mbushim. Mëseafërsi e imazheve: epshllëk i imazheve, pornografi e prekëshme e imazheve. Prapë, imazhi është vite-drite larg. Është pandërrueshëm një tele-imazh, një imazh i ndodhur në një largësi tejet specifike e cila mund të përshkruhet vetëm si e paurëzueshme prej trupit. Trupi mund ta kalojë hapësirën që e ndan atë prej gjuhës, skenës apo pasqyrës – kjo është çfarë e mban atë njerzor dhe i lejon atij të jetë pjesëmarrës në shkëmbim. Por ekrani është ibretshëm vetëm virtual dhe kështu i paurëzueshëm. Kjo është pse ai mund të jetë pjesëmarrës vetëm në atë formë abstrakte, vendosmërisht abstrakte, të njohur si komunikim.
Brenda sferës së komunikimit, fjalët, gjestet, vështrimet janë në një gjendje të vazhdueshme përngjitjeje, prapë, ato kurrë nuk preken. Fakt është se afërsia dhe largësia këtu, thjesht nuk janë marrëdhënie të krijuara midis trupit dhe mjedisit. Ekrani i imazheve tona, ekrani ndëraktues, ekrani i telekompiuterit janë njëherësh tejet afër dhe tejet larg; shumë afër të jenë të vërtetë (të trupëzojnë intesitetin dramatik të skenës) dhe shumë, shumë larg për të qenë fals (të trupëzojnë largësinë kurthuese të artificit). Kështu pra ata krijojnë një përmasë që nuk është më fare njerëzore, një përmasë ekscentrike që i korrespondon depolarizimit të hapësirës dhe padallueshmërisë së formave trupore të shprehjes.
Nuk ka model tjetër më të mirë të asaj sesi ekrani i kompiuterit dhe ekrani i mendjes ndërthuren sesa ai i topologjisë së Moebius-it me atë çudiveçinë e vet të përngjitjes së të afërmes dhe të largtës, së brendshmes dhe të jashtmes, objektit dhe subjektit brenda së njëjtës spirale. Është në akord me mu këtë model që informacioni dhe komunikimi janë vazhdimisht duke u rreth-kthyer nga vetja në një rrotullim incestar, një nëpërvënie sipërfaqësore e subjektit dhe objektit, brenda dhe jashtë, pyetje dhe përgjigje, ngjarje dhe imazh dhe kështu pambarim. Forma është pashmangshmërisht ajo e rrethit të përdredhur që të kujton simbolin matematik të infinitit.
E njëjta gjë mund të thuhet për marrdhëniet tona me makinat tona ‘virtuale’. Njeriu ynë Telekompiuter i është caktuar një aparati poaq dhe po ashtu siç aparati i është caktuar atij nëpërmjet një ndërthurjeje të njërit tek tjetri, një përthyerje të njërit prej tjetrit. Makina bën atë që njeriu i kërkon asaj të bëjë, por prej së njëjtës shenjë, njeriu nuk mund të ekzekutojë asgjë më shumë sesa ajo për të cilën makina është programuar. Operatori është duke punuar me virtualitetin; vetëm në dukje qëllimi është të marrësh informacion apo të komunikosh, qëllimi i vërtetë është të eksplorosh gjithë mundësitë e programit, më shumë si kumarxhiu që kërkon të ezauorojë gjithë permutacionet e një loje shansi. Konsidero tani sesi përdoret kamera. Mundësitë e saj nuk janë më ato të subjektit që ‘reflekton’ botën sipas vizionit të tij personal; ato janë më shumë mundësitë e lenteve siç shfrytëzohen nga subjekti. Kamera është pra kështu një makinë që sëmur gjithë vullnetin, që fshin çdo qëllimshmëri dhe nuk lë asgjë përveç refleksit të pastër që nevojitet për të bërë fotografi. Vështrimi vetë zhduket pa gjurmë, i zëvendësuar tashmë prej një lenteje që komploton me objektin – dhe kështu me një përmbysje të vështrimit. Magjikja gjendet saktësisht në prapambysjen e subjektit tek një camera obscura – reduktimin e shikimit të tij, në shikimin impersonal të një kleçke eletroniko-mekanike. Përballë pasqyrës, është subjekti që ia lëshon frerët mbretërisë së imagjinatës. Në lentet e kamerës dhe on-screen në përgjithësi, është objketi që e çbarron veten në dobi të teknikave të medias dhe telekomunikimit.
Kjo është arsyeja pse imazhet e gjithëshkahut janë tani një mundësi. Kjo është pse çdo gjë është e përkthyeshme në terma kompiuterikë, e shndërrueshme në forma numerike, tamam ashtu siç çdo individ është i shndërrueshëm në kodin e vet gjenetik. (Gjithë qëllimi në fakt është të ezaurohen gjithë virtualitetet analoge me kodin gjenetik; ajo e inteligjencës artificiale është një nga aspektet me themelorë). Çfarë kjo do të thotë, në një nivel më konkret, është se: nuk ka më asgjë të tillë si ndonjë akt apo ngjarje e cila nuk përthyhet në një imazh teknik apo mbi një ekran, asgjë e tillë si një veprim, i cili nuk dëshiron në një farë mënyre të mos fotografohet, filmohet, rregjistrohet, që nuk dëshiron të mos ruhet në ndonjë kujtesë ashtu që mund të bëhet i riprodhueshëm në përjetësi. Asgjë e tillë si ndonjë veprim që nuk aspiron të vet-tejepërtejshkohet në përjetësinë virtuale – jo tani, jo përjetësia e pafundme që vjen pas vdekjes, por përkundrazi, përjetësia efemere e përgjithmonë-degëzimit të kujtesës artificiale. Përdhuna e virtuales është përdhuna për të ekzistuar në potentia në të gjithë ekranet, të trupëzohesh në të gjithë programet dhe kërkon një forcë magjike; alarmin e sirenës së kutisë së zezë.
Ku është liria në të gjithë këtë? Asgjëkundi! Nuk ka zgjidhje këtu, nuk ka vendime finalë. Gjithë vendimet në lidhje me rrjetet, ekranet, informacionin apo komunikimin janë serialë nga natyra e tyre, të pjesëshëm, fragmentarë, fraktalë. Mjerisht një pasim vendimesh të pjesëshëm, një seri mikroskopike sekuencash dhe objektesh të pjesëshëm, përbëjnë po aq menyrën e procedimit të fotografit sa dhe atë të njeriut telekompiuter në përgjithësi, bile edhe atë të quajtur prej kotësisë më të plotë të televizionit, shikim. Gjithë kjo sjellje është strukturuar në modelin e kuantit, e përbërë nga sekuenca aksidentale vendimesh rëndom. Magjepsja rrjedh prej marrjes së kutisë së zezë, e cila e vulos ‘paguar’ lirinë tonë