Archive for July 2007
M.e.N(II)
Përaqsa logjika humaniste e së ndryshmes është në njëfarë kuptimi një simulim (i tillë i cili kulmon në një absurditet të tillë si e “e drejta për të qenë ndryshe”), çon direkt, megjithë mirëdashjen e tij, tek gjithë ai haluçinacion i së ndryshmes që njihet si rracizëm. Ndërsa e ndryshmja dhe kulti i së ndryshmes vazhdojnë të rriten, një tjetër lloj i paparashikuar dhune, anormale dhe e paqasshme prej racionalitetit kritik, rritet edhe më shpejt. “Hapësirat ndarëse të paparishikuara” për të cilat foli Segaleni, nuk janë thjesht ndryshime të reja: çfarë bulon me qëllim që të luftojë homogjenizimin total të botës është Alieni – një metaforë e përbindëshme për Tjetrin viral, Tjetrin si një kufomë: forma e përbërë prej gjithë varieteteve të tjetërsisë të cilat janë bërë për vdekje nga sistemi.
Ky është rracizmi i cili, meqë nuk ka më asnjë themel biologjik, kapet fort pas çdo variacioni të lehtë të rendit të shenjave; një rracizëm që shpejt merr një karakter viral dhe automatik dhe e përvijëson veten ndërsa harbon mes përgjithësimit të semiotikës. Dhe ky rracizëm nuk mund të luftohet prej një humanizmi të ndryshimit, për arsyen e thjeshtë se ky vetë, është virus i ndryshimit.
Të mbash mesha mbi internalizimin e tjetrit dhe brendafaqimin e së ndryshmes, nuk mund ta zgjidhësh kurrë problemin e formave monstruoze të tjetërsisë, sepse këto forma janë prodhimi, saktësisht e mu këtij diferencimi obsesional, mu kësaj dialektike obsesionale të egos dhe tjetrit. Është këtu ku gjendet gjithë dobësia e këtyre teorive “dialektike” të tjetërsisë të cilat aspirojnë të ngulitin përdorimin e duhur të ndryshimit. Por ama nëse rracizmi në formën e vet virale, të lindur, të sotme dhe përfundimtare, provon ndonjë gjë, është ajo se nuk ka ndonjë gjë të tillë si “përdorim i duhur i ndryshimit”.
Kjo është pse mund të thuhet se kritika e rracizmit është në thelb e përfunduar – po ashtu siç Marksi tha se kritika e religjionit është në thelb e përfunduar. Kur u kujtua se e ashquajtura boshësi e narrativës metafizike ishte provuar, religjioni u supozua se do zhdukej ndërsa kushtet e një mënyre më të avancuar prodhimi u bënë operative. Ngjashëm, kur boshësia e teorisë biologjike për rracat u provua, rracizmi është u supozuar të zhduket ndërsa një ndërpërzierje universale më e avancuar e ndryshimeve u bë operative. Por çfarë nëse religjioni, krejt përkundër parashikimeve të Marksit, humbi formën e vet metafizike dhe transcedentale vetëm që të bëhej një forcë imanente dhe të fragmentohej nëpër ideologji të panumërta dhe variante praktikë nën kushtet e një ringjalljeje religjioze e cila, gjen mbështetje në progresin e mu atij rendi social që pritej bile të çrrënjësonte edhe kujtimin e religjionit? Sepse kjo është një fakt i matshëm këto ditë. Dhe e njëjta gjë është e tillë për rracizmin i cili, është bërë një realitet i përditshëm. Fakt është se kritika “shkencore” dhe racionale e rracizmit është pastërtisht formale, ajo shaktërron argumentin biologjik, por ngelet e kapur në çarkun rracist, sepse ajo dështon të merret me bilogjinë vetë qua iluzion. Kështu që ajo bëhet vetë një iluzion i kriticizmit, që mbart kurrënjësend dhe tek e fundit rracizmi shfaqet ti ketë shpëtuar kritikës prej racionalizmit po aq mjeshtërisht saç religjioni i mbijetoi kritikës prej materializmit – çka është dhe arsyeja pse këto kritika në thelb kanë marrë fund!
(të vazhdojë pak më vonë)
Melodrama e Ndryshimit (I)
Këtyre ditëve çdo gjë përshkruhet në terma të ndryshimit, por tjetërsia nuk është e njëjta gjë me ndryshimin. Mund bile të thuhet se ndryshimi është çfarë e shkatërron tjetërsinë. Kur gjuha copëtohet në njësi ndryshimesh, kur kuptimi reduktohet në asgjë më shume se diferencim, tjetërsia radikale e gjuhës shfuqizohet. Dueli që gjallon në zemër të gjuhës – dueli ndërmejt gjuhës dhe kuptimit, ndërmjet gjuhës dhe njeriut që e flet – ndal. Dhe çdo gjë në gjuhë që është e pareduktueshme në meditim, artikulim, apo kuptim, asgjësohet – çdo gjë pra, që është ajo që e bën gjuhën në nivelin e saj më të thellë, të jetë tjetër nga subjekti (dhe po ashtu Tjetër për subjektin). Ekzistenca e këtij niveli është shkaku i lojës së gjuhës, për ndjelljen e saj në materialitetin e vet, tundimin e saj ndaj rastësisë; dhe është çfarë e bën gjuhën mos jetë vetëm një njësi e kotë ndryshimesh, siç është në sytë e analizës strukturaliste, por, simbolikisht duke folur, një çështje për jetë a vdekje.
Çfarë kuptimi pra mund të ketë të thuhet se gratë janë Tjetri për burrat, që të çmendurit janë tjetri për ata me mend në kokë, apo që njerëzit e civilizuar janë tjetri për ata primitivët? Dikush mund të përpëlitet përgjithmonë duke pyetur se kush është tjetri për kë. Është zotëriu tjetri për skllavin? Po, sigurisht – në terma të klasës dhe marrdhëniesh të fuqisë. Por kjo mënyrë është reduktuese. Në realitet gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Mënyra sesi marrdhëniet ekzistojnë midis gjërave dhe njerëzve nuk është çështje e ndonjë ndryshimi strukturor. Rendi simbolik ngërthen forma të dyfishta dhe komplekse të cilat, nuk janë të varura nga dallimi midis egos dhe tjetrit. Pariahu nuk është tjetri për brahmanin: por në fakt fatet e tyre janë të ndryshëm. Të dy nuk janë të diferencuar në bazë të një shkalle të vetme vlerash: por, ata bashkarisht janë duke forcuar aspekte të një rendi të pandryshueshëm, pjesë të një cikli të rikthyeshëm si ai i ditës me natën. A themi ne nata është tjetra për ditën? Jo. Pse pra duhet të themi se mashkullorja është tjetra për femëroren? Sepse të dy janë padyshim vetëm momente rikthyeshëm, që ndjekin njeri tjetrin, si nata dhe dita, duke ndërruar vende me njëri tjetrin në një proces të pafund tërheqjeje. Një seks nuk është kurrë tjetri për seksin tjetër, përveçse brenda kontekstit të një teorie diferencuese të seksualitetit – e cila është në fakt asgjë po utopi. Sepse ndryshimi është vetë një utopi: ideja se një çfit i tillë termash mund të ndahet është një ëndërr – dhe ideja për ti bashkuar është rrjedhimisht një tjetër, ëndërr. (Kjo është po e tillë përsa i përket dallimit midis të mirës dhe të keqes: nocioni se ato mund të ndahen nga njëra tjetra është po ashtu një utopi dhe akoma edhe më utopike ti pajtosh ato). Vetëm në perspektivën e kulturës perëndimore e bazuar mbi dallimin është e mundur të flasësh për Tjetrin në lidhje me seksin. Seksualiteti autentik, nga ana e vet: mbështet në në pakrahasueshmërinë radikale të sekseve – përndryshe tërheqja nuk do bëhej kurrë e mundur dhe nuk do kishte gjë tjetër përveç alienizim të njërit seks ndaj tjetrit.
Ndryshimet do të thonë shkëmbim i rregulluar. Po çfarë është ajo që ndërfut çrregullim në shkëmbim? Çfarë është ajo për të cilën nuk mund të ketë kompromis? Çfarë është ajo që nuk ka vend në kontratë apo në ndërveprimin strukturor të shkëmbimit?
Çfarë është e themeluar mbi pamundësinë e shkëmbimit?
Kudo ku shkëmbimi është i pamundur ajo me të cilën ballafaqohemi është terrori. Çdo tjetërsi radikale çfarëdo është epiqendra e terrorit – terrori që një tjetërsi e tillë paraqet, për hir vetëm të faktit që ekziston, për një botë normale. Dhe terrori që një botë e tillë ushtron mbi atë tjetërsi me qëllim që ta asgjësojë atë.
Përgjatë shekujve të kaluar shumë forma tjetërsie të dhunshme janë trupëzuar, me hir ose pahir, në nj diskurs ndryshimi i cili, njëkohësisht ngërthen përfshirje dhe përjashtim, njohje dhe diskriminim. Fëmijria, lunatizimi, vdekja, shoqëritë primitive – të gjitha janë kategorizuar, integruar dhe absorbuar si pjesë të harmonisë universale. Çmenduria, sapo statusi i vet përjashtues u anullua, u kap prej rrjetave mjaft më subtile të psikologjisë. Të vdekurit, sapo u njoh identiteti i tyre si të tillë (të vdekur) i internuan në varreza periferike – mbajtur në një largësi të tillë që vetë fytyra e vdekjes vetë, humbi. Sa për indianët, e drejta e tyre për të ekzistuar, nuk iu dha më shpejt sesa vendimi për ti mbyllur ata nëpër rezervate. Këto janë të papriturat e një logjike të ndryshimit.
Rracizmi nuk ekzsiton për aq kohë sa tjetri ngelet Tjetër, për aq sa i Huaji ngelet i Panjohur. Rracizmi futet në lojë kur tjetri bëhet vetëm i ndryshëm – kjo është të thuash, rrezikshmërisht i ngjashëm. Ky është momenti kur tundimi për ta mbajtur tjetrin larg bëhet aktual.
“Ne mund të themi”, shkroi Victor Segalen, “ se ndryshimet themelore nuk kanë për të arritur kurrë të bashkohen në një cohë të paqepur dhe njëcopëshe; uniteti në rritje, rrëzimi i pengesave dhe pakësimet e mëdha të largësive reale do të duhet të rikompensojnë veten e tyre diku nëpërmjet copëzimeve të reja dhe hapësirave të paparashikuara”.
Rracizimi është një prej këtyre “copëzimeve të reja”. Një abreaksion ndaj psikodramës së ndryshimit: një reagim ndaj fantazisë – dhe obsesionit me – të qenin “tjetër”. Një mënyrë për të dalë nga psikodrama është, brendafaqimi (introjection, introversion) dhe mospranimi i tjetrit. Kaq i patolerushëm është ky brendafaqim i ndryshimit, aq sa në fakt tjetri duhet të ekzorcizohet me çdo kusht duke e i bërë ndryshimet materialisht të ashiqarta, të dukshme. Sloganet biologjikë të rracizmit janë pabazë, por duke e bërë referencën rraciale të qartë, rracizmi tregon tundimin logjik në zemër të çdo sistemi strukturor: tundimin për ta fetishizuar ndryshimin. Por sistemet diferencialë nuk mund të arrijnë kurrë në ekulibrum: diferencat lëkunden vazhdimisht midis lartësish absolute dhe poshtësish absolute. Kur vjen puna tek administrimi i tjetërsisë dhe ndryshimit, ideja e një balancimi të kalitur është asgjë pos utopike.
çdo gjë ka kuptim anasjelltazi
(një aspekt tjetër në lidhje)...çdo gjë është e nënshtruar ndaj sistemit, prapëseprapë, në të njëjtën kohë ato i shpëtojnë kontrollit të tij. Këto grupe nëpër botë të cilat kanë përqafuar mënyrën perëndimore të jetesës, në të vërtetë nuk identifikohen kurrë me të dhe vërtetë, shumë shpesh, ata janë përçmues të saj. Ata ngelen ekscentrikë në lidhje me sistemin e saj të vlerave. Mënyra e tyre e asimilimit, e të qenit shpesh edhe më fanatikë akoma sesa perëndimorët vetë në praktikimin e zakoneve të këtyre të fundit, ngërthen një aspekt të ashiqartë parodik, majmunor: ata e kanë zënë veten duke ndërmarrë një lloj punëdore me copat dhe çikërrimat e Iluminizmit, me “progresin”. Edhe kur ata bëjnë pazar, bisedime, apo kur e rreshtojnë veten si aleatë të perëndimit, ata vazhdojnë të besojnë se mënyra e tyre të jetuarit është rrënjësisht ajo e drejta.
Ndoshta këto grupe, ashtu si alakalufët, kanë për tu zhdukur pa i marrë kurrë ndonjëherë seriozisht të bardhëllemët (nga ana e tyre, të zbardhët, i marrin shumë seriozisht ata që nuk janë si ta, qoftë kur duan ti asimilojnë, qoftë kur duan ti shfarosin: këta janë së fundi duke u bërë me shpejtësi pika jetike, negative, e referencës për gjithë sistemin perëndimor të vlerave.
Të zbardhët, ndoshta, do zhduken dhe ata vetë një ditë pa e kuptuar kurrë se bardhësia e tyre nuk është veçse rezultati i përshumimit dhe konfuzionit të gjithë rracave dhe kulturave, po ashut siç bardhësia e dritës së bardhë është thjeshtë vetëm përftesa e melodramës së gjithë ngjyrave. Dhe ashtu siç ngjyrat bëhen të krahasueshme përkundër njëra tjetrës vetëm kur maten nëpërmjet një shkalle universale së gjatësisë valore, po ashtu kulturat bëhen të krahasueshme vetëm kur ato vihen përkundër një shkalle strukturore të ndryshimit. Por ka një standard të dyfishtë këtu, sepse është vetëm për kulturën perëndimore ajo që të shihen kulturat e tjera si të ndryshme. Për kulturat e tjera vetë, të zbardhët nuk janë bile as të ndryshëm – ata janë joekzistentë, janë fantazma prej një bote tjetër. Konvertimi i jashtëm në stilin perëndimor gjithmonë fsheh një tallje të hidhur ndaj hegjemonisë së perëndimit. Të vijnë ndërmend ata Dogonët të cilët, shpiknin ëndrra për të vënë në lojë psikanalistët e tyre e pastaj ua ofruan këto ëndrra analistëve si dhurata. Dikur perëndimorët i përçmonin kulturat e tjera, tani figurativisht i respektojnë. Të tjerët nuk e respektojnë kulturën e tyre; megjithatë ata nuk ndjejnë asgjë pos kondeshencës së pafundme. Të zbardhët mund ti kenë dhënë të drejtën vetes nëpërmjet zaptimit ti nënshtrojnë dhe shfrytëzojnë këto kultura, por këto të fundit i kanë dhënë vetes luksin ti mistifikojnë ata të parët.
fillime të tjera
Ndjenja më e çuditshme që të ngelet pasiqë lexon “Songlines” të Bruce Chatwin, është një pavendosmëri këmbëngulëse mbi realitetin e “linjave” vetë: këta intinerarë poetikë dhe muzikorë, këto këngë, kjo “kohëndërr“, ekziston vërtetë a jo? Në gjithë këto rrëfime ka ndonjë gjurmë mistifikimi; një lloj iluzioni mitologjik optik duket se është në veprim. Duket sikur aborigjenët janë duke na e hedhur. Ndërsa janë duke shpallur një nga të vërtetat më të thella dhe autentike (miti austral në formën e vet më misterioze), ata po ashtu fusin në lojë një pikëpamje nga më modernet dhe hipotetiket: pazgjidhshmërinë e çdo narrative, dyshim absolut përsa i përket origjinës. Që të mund ti besosh këto gjëra përrallore do të duhet të ndjesh se ata vetë i besojnë ato. Por këta aborigjenët duken sikur fitojnë një kënaqësi mistrece të jenë aluzivë dhe evazivë. Ata hedhin fjalën disi, por nuk ti tregojnë kurrë rregullat e lojës dhe dikush nuk ka si ikën përshtypjes se ata po impovizojnë, se janë duke nxjerrë në rrugë, se po i “punojnë” fantazitë tona, por pa u përpjekur hiç të na sigurojnë se ata janë në fakt duke thënë të vërtetën. Kjo është padyshim mënyra sesi ata ruajnë sekretin e tyre ndërsa në të njëjtën kohë tallen me të tjerët – sepse në fund të fundit, të tjerët janë të vetmit njerëz që duan vërtetë ti besojnë këto tregime.
1948: vitet më të mira të jetës
Personazhet në film ruajnë ca qashtërsi – dhe besim naiv – në ndjenjat e tyre, çfarë ne nuk e kemi as e njohim më. Ndjenjat tona të cilat, ne kaq gazmueshëm i quajmë emocione, ashtu që të shpëtojmë fiksionin e së ashquajturës jetë emocionale, nuk janë më afekte, por mjerisht vetëm efekte (speciale), që e kanë humbur tërsisht besueshmërinë në sytë tanë. Ose, ndërsjelltazi, ato janë emocione konvertimi të cilat, tradhëtojnë melodramën që është duke ngjarë në trup dhe nuk janë pothuaj fare nuanca të shpirtit. Ne nuk e kemi më këtë dlirësi as në marrdhëniet tona me ëndrrat, ndërku rropatemi me spjegimin e tyre, ndarjen e tyre, reflekset e tyre ironikë. Por gjëja më e keqe është se, jo vetëm jeta, por kinemaja po ashtu, duket se e ka humbur gjithë thjeshtësinë që prej asaj periudhe. Ajo di vetëm si të parodizojë vetveten përdemekshëm dhe ka çarë përpara drejt psikodramës apo melodramës vizuale. Retrospektivisht, këto pra kanë qenë po ashtu “vitet më të mira” të kinemasë.
e fundit
Vetëm kur sferat e ndryshme, sekset, rracat dhe llojet të kenë pushuar së qeni të pakrahasueshme me njëra-tjetrën dhe të fillojnë të masin vlerën e ndryshimit të tyre me një kut të përbashkët, vetëm atëherë do bëhej e mundur ta vlerësonin veten përkundër njëra-tjetrës dhe të fitonin përparësi mbi njëra-tjetrën.
Teoria moderne e evolucionit luajti një rrol vendimtar këtu.
Nuk ka kut matës në zinxhirin simbolik. Asnjë lloj nuk është inferior ndaj tjetrit. As ndonjë qenie njerëzore. Gjithë çfarë ka rëndësi është një sekuencë simbolike. Është vetëm kur ato bëhen autonome dhe të dallueshme (kur janë të “çliruara”) që ato bëhen të ndryshme dhe ashtu, automatikisht inferiore apo superiore ndaj njëra-tjetrës. Është për shkak të një lëvizjeje drejt një standarti universal matjeje të bazuar mbi një kriter “objektiv” që gjithë format e diskriminimit shfaqen dhe gjejnë aplikime.
e parafundit
Reaksion me zorrë kundër rufianizmit, masave dhe shqiptarizmës solide. Por e njëjta neveri me rropulli për elitën, kastat, kulturën dhe nomenklaturën. Duhet të zgjedh me patjetër ndërmjet masave trupeshke dhe klasave të priviligjuara arrogante (veçanërisht kur këto mbajnë një erë të sëkëlldisshme përulësie demagogjike)? Nuk ka zgjidhje!
Fondamentalizmi Islamik – një objektiv providencial për një sistem që nuk e ka më idenë se ndaj çfarë vlerash të përkitet – ka të barasvlefshmin e vet në integrizmin perëndimor, integrizmi i universales dhe i demokracisë së detyruar i cili, është po aq i ngurtë dhe jotolerant, meqë dhe ai nuk ia jep tjetrit të drejtën morale dhe politike për të ekzistuar.
Ky është fanaticizëm tregu të lirë, fanaticizmi i indiferencës ndaj vlerave të veta dhe mu për këtë arsye, jotolerancë totale ndaj kujtëdo që ndryshon për hir të ndonjë pasioni çfarëdo. Rendi i Ri i Botës, ngërthen asgjësimin e çdo gjëje të ndryshme për ta integruar brenda një rendi indiferent të botës
A ka më hapësirë midis këtyre fanatizmave për një besimtar të ushtrojë lirinë e vet?
njerëz të humbur
…vura re se me këtë togfjalësh kanë gjetur këtë blog pesë herë sot…mandej mësova se ky qenka një emision televiziv i llojit reality show i një stacioni televiziv, i vetmi i denjë për emrin që ka, të kryejë këtë punë detektivësh. Përveç që emisioni përshpall një shtysë përplot epsh për të gjetur njerëzit, për tu rënë në gjurmë dhe për ti kapur dhe dorëzuar “autoriteteve”, programi bën të qartë po ashtu se tjetri nuk e ka më të drejtën morale për tu zhdukur. Por suksesi, që më thonë se ky paska, padyshim që do jetë derivat i fantazisë së qindra-mijërave që janë virtualisht inekzistentë, shpresa e vetme e të cilëve është të rigjehen dhe kështu, përsakohë që zgjat programi, të ngrihen përmbi kotësisë së tyre.
but
Sociologjia, semiologjia, Marksizmi, psikanaliza – të gjitha janë plaçkë lufte, pasuri e përdhosur, e rrëmbyer, thjeshtë plaçkë. Specialistët e fushave të ndryshme janë duke ndarë dhe shpërndarë butin e një bote që po shpërbëhet, apo ime të shpërbërë. Sistem i buteve. Të papunët dhe punonjësit socialë ndajnë së bashku plaçkën e fuqisë punëtore të një shoqërie që është kalbur. Ekspertët e abstragimit numerik ndajnë plaçkën e një realiteti të hutuar dhe të humbur. Kështu që përshumohen priftërinjtë e shkarkuar dhe të zhveshur të kuptimit, priftërinjtë e shkarkuar të punës, priftërinjtë e shkarkuar të realitetit.
1
Po e përfytyroj veten ndërsa sapo u ula të shkruaj, ende i paqartë se çfarë, pikërisht këtë që jam duke bërë. Dhe aty brenda gjendja nuk është e njëjtë. Është vazhdim në një tjetër pasqyrim të asaj që duket më shumë se Lexova.
Por më habiti qetësia me të cilën e shkërmoqa vjershën tënde. Ngadalë, pa marrë frymë, pa vendosur më parë që ashtu do më duhej të veproja. Fare qetësisht, qëkurse e hapa, thuaj se e dija. Vazhdon përfytyrimi prapë i imi, ndërsa tashmë do duhej të më shkëmbente, si pasojë e një lutjeje dhe jo një vendimi, një masë ose dikush që dëshiron të mos përmbajë ose përmend, të mos fillojë të flasë me “ndonjë” ose “njëfarë” ose “pothuaj”, zhdukja e tyre është ideja e pjesës me të cilën fillon të përshkruhet heroi që kam në kokë, projekti im, të cilin nuk do e kisha caktuar sikur të mos ishte (dhe jo vetëm sepse e mendoj), i pamundur. Kjo më shumë për ti dhënë jetëgjatësi sadoqë periodike e fragmentare dhe sidomos për mos t’ia humbur as pjesërisht kuptimin çfarëdo dorëheqjeje ose largimi, sesa për hir të domosdoshmërisë subversive dhe jo rrallë perverse, për të pasur tragjizmin e duhur mitologjik. Ai (heroi) ka vendosur të mos guxojë asnjë pohim të cilit do i duhej të krahasohej ose të synonte përafërsi, por vetëm të pohonte ose pyeste në një formë që çlirohet duke zhdukur atë lëvizje dhe gjestet e veta jo krejt të rastësishme dhe dyshimin që ato murosin brenda koreografisë që nuk mund të jetë e fshehtë…Eshtë kjo që e bën të ndihet i munguar. Të mungojë. Është mungesa. Mungesa e tij që thashë do më duhej të shkëmbehesha Si poezia jote. Si disa prej të tjerave. Ato janë mungesë. Mungesë refraktare e për atë shkak dhe përmasë, gjenealogjike. Është ky një spektër spontan por akut, që zë vendin e horizontit ndaj perspektivës dykahëshe dhe progresive të pamjes, njëherësh i i rrekur(mendor) dhe fizik, pra dhe i prekshëm, që shndërrohet por jo pafundësisht dhe çuditërisht jo papritur kthehet përmjet asaj që ndriçoi duke e zhvendosur, të përmbushë të njëjtën ndjenjë që e krijoi por në të njëjtën kohë duke e evokuar. Them “kthehet”, por sa ndalesë ka aty, sa frymëmarrje. Po peshoj emocionin që padukshëm të përshkoi. Edhe pse e njoh atë lëndë nuk shoh mundësi ta natyralizoj, në atë kuptim që ta përvetësoja, të mundesha ashtu për njëfarë kohe ta shndërroja njohjen që kam për ty në një gjendje virtuale ezoterike, duke e ndihmuar veten të të arrij, në fakt të të ruaj vetëm përmes poezisë, sepse përndryshe me gjithë mistikën nën kinematikën bruto të së cilës unë parimisht(sepse ashtu kam vendosur) Vështroj ndërmarrjen tënde, nuk e kam prapë se prapë tërësisht të mundshme të udhëtoj në poezitë e tua drejt një takimi prej të cilit shpresoj të mos kthehem. Nuk është se kërkoj shumë nga poezia, dua vetëm të them se ëndërroj të lexoj ato vetëm, siç dhe kuptohet, më shumë për hir të largësisë që kam nevojë të kthehet në objekt sesa shqetësimi për ta zotëruar atë çast, domethënë atë shpresë. Them sidoqoftë mungesë sepse aty(tek poezia dhe jo ajo vetë) duket se fillon ti. Rudiani shkroi “mos e mendo historinë, kjo po të ndodh vetëm ty”…bëhet heshtje…
dëgjohen fëmijët e mi dhe mes fjalive të fundit të mësipërme që po pushojnë së ekzistuari ndihet Borhesi të pëshpërisë me zërin tim se “asgjë nuk është e re dhe se çdo gjë ndodh për herë të parë dhe pafundësisht”, nuk ka pas këtij çasti si të mos më kujtohet se dikush nga ata që banojnë Sabaton tha se “në të vërtetë agjë nuk ndodh”, por ndoshta kjo sepse vetëm Historia është Ngjarje, e tillë siç Rudit i duhet në mungesë të ngjarjes ta krijojë duke e shkruar se”fatkeqësitë ndodhin në të shkuarën”. Në këtë kuptim ndodh diç me poezitë e tua që unë ende nuk e kuptoj, dhe mua më intereson më parë Ndodh dhe pastaj Kuptoj.
Do më duhet të dalloj midis unicitetit dhe singularizmit…natyrisht të dyve na e shpifin këto fjalë, por më intereson e vetvetishmja dhe pastaj “difekti”, për herë të parë në sytë e mi kjo nuk duket e metë. Ti nuk je unik je singular. Nuk besoj se çka ti shkruan është e re, as transpozuese e së mëparshmes, ekzistentes, të zhdukurës megjithqë në hapësirën ku ajo vendoset ende dëgjohen jehona, mendoj se ajo është shkak e jo pasojë, sepse ajo është vështrimi dhe jo ideja, vështrim tërësisht vet-referencial, i panevojë por sidomos i pamjaftueshëm. Singular jo vetëm për këtë arsye. Eshtë gjallërimi i natyralizuar i vargjeve nga rimat shpesh të bindura sepse aksidentale, të paqëlluara, por të qëllimshme ashtu, herë tjetër. Gjallëruar, elektriciteti ujor i detajit të vetmuar që jonizon detajet e tjerë, por reciprokisht duke i shkarkuar prej tekstit dhe duke na rrethuar e ndalin vështrimin tonë në një gjeometri të brishtë të së njëjtës botë radiografike që tashmë u bë e qartë, nuk zotërohet prej teje. Eshtë guximi. Guximi për të vështruar objekte që ne nuk i shohim, të na kujtosh për ta përmes asaj që jemi gati ta harrojmë, duke bashkuar atë që është ndarë, prej pranisë sate, nëpërmjet teje, ti bësh ata të ekzistojnë për herë të parë dhe përkohësisht sepse ne duhet të kthehemi tek ti. Poezia e Rudit është profilaktike, imunitare, ogurzezë, kirurgjikale edhe pse gjuhësisht heterogjene, zgjedhore, pragmatiste, anarkike, prapë se prapë rivelatore. Haluçinacion i telekomanduar nga vetdija që synon ta kapërcejë. Poezia jote është virale, latente, divergjente, plastike bile muzeale në kuptimin e asaj se tregon dhe nuk shpall ndërsa është gjuhësisht urbane, tektonike, periferike, gjedhore, diversive. Realitet që thërret vetdijen ta bëjë të ekzistojë duke e mbiemërzuar…