Archive for August 2007
fillesa
Fusha e historisë, supozueshëm, është rihapur së fundi ndaj ndërveprimit të paparashikueshëm të njerëzve dhe etjes së tyre për liri. Në kontrast me mitologjinë depresive të fundit të shekullit të 19-të, fundi i shekullit që sapo kaloi u pa sikur po inaguronte rimobilizimin marrammendës të proceseve finalë, një rilindje të shpresës dhe kthim në lojën e të gjitha mundësive.
Në një vështrim më nga afër, sidoqoftë, ngjarja në fjalë, doli të ishte më misterioze, më shumë qëlloi si një objekt “historik” i paidentifikuar. Shkrirja e vendeve të Lindjes ishte padyshim një kthesë e jashtëzakonëshme e punëve. Por çfarë ndodh aktualisht me lirinë kur e nxjerrin nga ngrirja? Ky lloj operimi rezultoi të ishte i rrezikshëm. Blloku Lindor nuk ishte vetëm një ngrirës i lirisë, por po ashtu një laborator, një mjedis eksperimental në të cilin liria u izolua dhe ju nënshtrua trysnive shumë të larta. Perëndimi nga ana tjetër nuk është më shumë sesa një muzeum – apo më mirë një kosh – për lirinë dhe të Drejtat e Njeriut. Nëse ngrirja ishte shenja dalluese (dhe negative) e Lindjes, super rrjedhshmëria e universit perëndimor është edhe më e përçmueshme, sepse falë çlirimit dhe liberalizimit të zakoneve dhe bindjeve, çështja e lirisë nuk mund të ngrihet më. Bile, është zgjidhur virtualisht. Në perëndim liria – ideja e lirisë – ka vdekur vdekjen e vet të natyrshme. Në lindje ajo u vra. Në këto vjet, duke iu qasur si një përvoje eksperimentale, ne pamë sesi është liria kur shpërfaqet sërish, kur ringjallet pasiqë i janë zhvatur gjithë shenjat. Ne tani e dimë se çfarë një reabilitim dhe reanimacion postmortem i saj mundi të bënte. Liria e shkrirë, nuk ishte ndonjë gjë përsëmbari për tu parë. Ajo çfarë zbuluam ishte se ajo nuk kërkonte asgjë përveç që ta shkëmbente veten përfundimisht me një dëshirë të ethshme për vetura, paisje kuzhine, bile edhe droga marramendëse dhe pornografi: kjo është, ta ndërronte veten menjëherë për të mirat e rrjedhëshme perëndimore, të kalonte prej fundit të historisë nëpërmjet ngrirjes në fundin e historisë nëpërmjet super-fluiditetit, nëpërmjet qarkullimit. Ndryshimi në vendet e Lindjes nuk qe shprehje e asaj se hodhi vargonjtë iedologjikë sesa shfaqi një zell mimetik – një tribut pra ashtu, ndaj atyre vendeve liberalë ku liria ishte ime e shitur për një jetë teknologjikisht të lehtë – ne zbuluam se çfarë liria vlen; dhe se ndoshta nuk ka për tu zbuluar për herë të dytë kurrë më. Perëndimi bëri ç’ishte e mundur që liria të mos shfaqej si veprim, por vetëm si një formë virtuale dhe konsensuale ndërveprimi, jo më si dramë, por si psikodrama universale e liberalizmit. Një infuzion i menjëhershëm i lirisë si para reale, si transhendencë aktive dhe e dhunëshme, si Ide, doli të ishte katastrofike. Por kjo ishte çfarë iu kërkua Lindjes: liria, imazhi i lirisë, në shkëmbim të shenjave materiale të lirisë. Kjo ishte një kontratë diabolike, për hir të së cilës, njëri nga nënshkruesit është në rrezik të humbasi shpirtin; dhe tjetri të humbasë komoditetin. Por ndoshta - kush e di – ndoshta kjo ishte më e mira për ty dyja palët.
ndjenja të tjera
Kur i mendon ndërlikimet e pabesueshme neurotike të miliona njerëzve shpërndarë kudo nëpër botë dhe shumën eksponenciale të gjithë këtyre problemeve, mund të marrësh me mend se ndotja psiqike e planetit është ku e ku më e rëndë se ndotja biologjike apo teknologjike. Gjendja, sigurisht që nuk mund të ketë qenë e tillë në kohën e Tautavelit apo KroManjonit. Natyra e shkurtër dhe tejet e ashpër e jetës siguronte një rregullim automatik. Ndërsa tani njerëzit kanë shkëmbyer kanibalizmin primar për kanibalizëm psiqik. Kanë kaluar në etapën e mizorisë virtuale.
ndjenja të sinqerta
Dialektika e ndjenjave është si puna e shenjës (astrologjike) dhe ashendentit. Të dyja shihen si të ndërlidhur a të kundërt. Shenja vetëm nuk është e mjaftë: të duhet me patjetër të kesh dhe ashendentin. Nuk është e mjaftë të jesh i lumtur: kjo duhet të ngazëllejë po ashtu. Nuk është e mjaftë të jesh i palumtur: kjo duhet të të shkaktojë me patjetër dhimbje. Pa aurën e kënaqësisë, lumturia do ishte vërtetë e trishtuar; pa e patur idenë e kënaqësisë, do kishte vetëm ndonjë lloj gazmimi mamal. Po pa aurën e vuajtjes, palumturia është po ashtu vërtetë e trishtuar.
Ka gjithmonë një transhendencë të kënaqësisë dhe pakënaqësisë për matanë të qenit i lumtur apo i palumtur. Shtjellimeve hipokritë që e vendosin lumturinë dhe palumturinë në llogore të kundërta, u mungon ky subtilitet që i bashkon ato në një ndarje të përbashkët – në atë ndërkthyeshmërinë e secilës, e cila, në fund fare, përbën lumturinë e vërtetë. Ka akoma mjaft liri për ta përdorur këtë gjë, bile edhe për të abuzuar me të rëndshëm; dhe vetëm çfarë e zhvat prej nesh këtë lumturi, na bën ne vërtetë qenie të palumtura.
shtator
I mërzitur me atë se i duhej ti kthente përsëmbari bluzat e veta sa herë që i duhej ti vishte, ai vendos ta bëjë atë punë sapo i heq. Natyrisht, kjo është racionale, punë me mend. Por meqë ky vendim nuk mund ta anullojë automatikisht dhe fshijë atë vendimin tjetër për ta kthyer bluzën përsëmbari, kur i duhet ta veshë, ai nuk dështon kurrë që ta veshë së pari përsëprapthi. Një dilemë: Si mundet dikush ta racionalizojë një veprim pa e shqetësuar sjelljen e vet automatike? Dhe gjërat bëhen keq e më keq nëse, pasiqë përballesh me një dështim të tillë, ti i jep dum të heqësh dorë prej kësaj risie, e ashtu meqë praktika e vjetër u ndërpre kaq menjëhershëm ajo e humb spontanitetin e vet dhe padështueshmërinë. Situata e krijuar është ngatërresë e pashpresë. Fabula e kësaj: gjithë rrobat duhet të bëhen që të vishen nga të dy anët. Idetë po ashtu, kështu që të mundesh tu futesh atyre prej çdo krahu a kahu.
këshillë
Përsa i përket marrëdhënies sate me ndonjë grua që ti e do dhe të do, nuk mund të kesh arsye të shqetësohesh. Sepse, ose ajo është besnike e pakushtëzuar ndaj teje – ose ajo po ta hedh dhe është e pabesë. Dhe në rastin e dytë, duke e marrë si të dhënë gjithë çfarë ti di për të – ose kujton se di – do ishte një tradhëti kaq e pabesueshme, një zhgënjim kaq i thellë shpirtëror, sa do t’iu duket një provë negative e ekzistencës së Zotit!
Dhe pastaj, çfarë hakmarrjeje! Çfarë ngazëllimi. Siguria ngadhëjimtare e parimit të së Keqes! Nuk është kjo çfarë njerëzit kërkojnë me kaq pasion dhe deri në fund? Meqë duan prova për ekzistencën e Zotit, të paktën një provë përfundimtare, radikale që ai nuk ekziston – sepse e keqja ose nuk ka ekzistencë të vetën dhe funksion vetëm si referencë ndaj ekzistencës të së Mirës, ose pastaj ka një princip autonom të së Keqes, rast në të cilin, evidenca e së Keqes mund t’ua qetësojë mendjen njësoj siç evidenca e Zotit.
Gëzimi i së Keqes, nuk është aq shumë për hir të asaj sepse ti e vepron a e praktikon (e di ti ku vërtetë gjendet?) sesa të marrësh vesh, apo të kuptosh se një njeri i veçantë ndaj të cilit ti ke një besim të patundur dhe të plotë, del se nuk e ka merituar fare dhe kurrë – që njerzimi, fati apo gratë – janë kaq të poshtër dhe të fshehur sa kjo merr përmasat e një revelate. Dhe kjo shpallje do ketë për ty kaq forcë dhe do pllenojë një të tillë mahnitje sa që çfarëdo trishtimi vetjak, çfarëdo diziluzionimi moral, do fshihet tutje e zhduket prej ashiqarllëkut metafizik të këtij imoraliteti. Forma ekstazike e zhgënjimit.
Në të shkuarën, ishte në begatinë e së Mirës, që provat për ekzistencën e Zotit kërkoheshin, ndërsa sot, ti ke shansin ti kthehesh edhe një herë këtij propozimi, por tani të anasjellë dhe të ironizuar – duhet vetëm ta durosh si burrë (dhe në rastin se je grua). Ti mund ta shohësh zhgënjimin tënd helmues dhe të plotë prej botës, teprinë e negativitetit dhe vështirësive, si provë të ekzistencës së Zotit. Siguria që rrjedh prej kësaj do të ngushëllojë njësoj. Po bëj kujdes. E keqja ka në vete një shtyse fatkeqe të rimëkëmbet dialektalisht. Ty të duhet të mbrohesh prej kësaj, të jesh vigjilent ndaj çdo pajtimi, sepse në ndërveprimin e së Mirës dhe të Keqes, gjithë siguria jote finale për atë se gjërat janë aq keq saç mundësisht mund të jenë, do të të lerë, do largohet prej teje; dhe si rrjedhim, gjithë frymëzimi metafizik.
edhe njëherë
Megjithqë kjo mund të jetë dytësore, dikush mund të riprodhojë imazhet e Warhol në pafundësi, por nuk mund të përftojë më shumë thellësi prej zmadhimit të ndonjë detaji. Nuk ekzistojnë fotografi të zmadhuara për detajet e ndonjë imazhi të tij. Fakt është se çdo njeri prej tyre funksionon ime si një hologram, tek i cili nuk ka ndonjë ndryshim midis detajit dhe të tërës, ku vështrimi hapet dhe shpërhapet mbi një objekt jolëndor gjer në pikën që shkrihet, njësohet me praninë e tij virtuale.
Warhol vetë, nuk ishte kurrë më shumë se një hologram. Njerëz të famshëm vinin tek Fabrika e tij të plluskonin përreth tij pa ia arritur kurrë të merrnin ndonjë gjë prej tij, por ata u përpoqën ti kalonin përmes, siç dikush mund të bëjë me një filtër apo thjerrëz aparati fotografik, gjëja që në fakt ai ishte bërë të ishte. Valerie Solanas bile provoi ta shkërrmoqte atë thjerrëz duke i shtirë, të kalonte përmes hologramit, të provonte se gjak mund të rridhte ende prej aty. Kështu që nuk ka si të mos jesh dakort me Warhol kur thotë “Nuk mund të bëhet tjetri më sipërfaqsor se unë dhe të jetojë”. Dhe ai mezi doli i gjallë prej andej.
Çdo gjë që bën Warhol është false: objekti është fals sepse nuk është më i lidhur me subjektin por vetëm me dëshirën për një objekt. Imazhi është fals sepse nuk ka më asnjë lidhje apo marrdhënie me ndonjë ekzigjencë estetike, por vetëm me dëshirën për një imazh (dhe imazhet e Warhol dëshirojnë dhe kopulojnë njëri-tjetrin). Në këtë kuptim, Warhol është artisti i parë që mbrriti shkallën e fetishizmit radikal – shkallën matanë asaj të alienimit – gjendjen paradoksale të një tjetërsie që ka mbrritur përsosurinë.
Kjo është çfarë i siguroi atij atë formën kureshtshëm të veçantë të magjepsjes të cilën, vetëm fetishët mund të emetojnë, ajo aura fetishistike që i ngjitet përveçsisë së zbrazëtisë. Dhe ato pesëmbëdhjetë minutat e famës për të cilat ai foli, nuk ishte asgjë fare më shumë sesa mundësia për të patur akses tek kjo kotësi ekstreme – kotësia që gjeneron një vakum përreth vetes dhe që drejt së cilës tërhiqen kështu gjithë dëshirat. Nuk është e thjeshtë ajo kotësi.
Fetishët komunikojnë me njëri-tjetrin nëpërmjet gjithpushtetshmërisë së mendimit dhe me shpejtësinë e ëndrrave. Ndërsa kur ka një marrdhënie të shmangur midis shenjave, këtu ka një reaksion të menjëhershëm zinxhir midis fetishëve sepse atë janë të bërë prej një lënde indiferente mendore. Ne e shohim këtë në plaçkat e modës, ku bartja është irreale dhe e menjëhershme, sepse ato nuk kanë asnjë kuptim. Idetë po ashtu mund të barten kësisoj: atyre u duhet vetëm të fetishizohen.
Le të mos mashtrohemi nga format përsëmbari (cool), format indiferente ndaj vetes së tyre të cilat, ky fetishizëm mund ti marrë tek Warhol. Pas këtij snobizmi makinik, çfarë vërtetë është duke ndodhur, është kjo çarje dhe çarje përpara, kjo ngjitje e pafund e objekteve, imazheve dhe shenjave si dhe kjo ngjitje e njëjtë e vlerave, shembulli më i saktë i së cilës është vetë tregu i artit. Ne jetojmë në ekstazën e vlerës e cila, e shpërthen nocionin e tregut dhe njëkohësisht, shkatërron veprën e artit si të tillë. Warhol është natyrisht pjesë e këtij asgjësimi të reales prej imazhit dhe të një mbiteprice të tillë të imazhit sa i jep fund gjithë vlerës estetike.
Warhol sjell asgjënë në zemër të imazit; në këtë kuptim ne nuk mund të themi se ai nuk është një artist i madh; fatmirësisht për të, ai nuk është artist fare. Ideja e punës së tij është sfidë mu ndaj nocionit të artit dhe estetikës.
Mbretëria e artit është mbretëria e menaxhimit të iluzionit, e një konvencioni që përmban efektet e harbuara të iluzionit i cili e exorcizon iluzionin si një dukuri ekstreme. Estetika rivendos kontrollin mbi rendin e botës ndaj një subjekti, rivendos një formë sublimimi të iluzionit total të botës, i cili përndryshe do na asgjësonte. Kultura të tjera e kanë pranuar këtë vet-evidencë mizore të këtij iluzioni duke u përpjekur të ndërtojnë një ekuilibër sakrifikal brenda tij. Kultura moderne nuk beson më asgjëkundi përveçse tek realiteti ( i cili, natyrisht, është i fundmi i iluzioneve) dhe ka zgjedhur të zbusë inkursionet e iluzionit me atë formën e kultivuar, të zbrythët të simulakrës, që është forma estetike.
Ka një histori të gjatë kjo gjë dhe përderisa ka një histori ka patjetër dhe një fund, është ndoshta tani që ne jemi duke parë zhdukjen e asaj historie, asaj forme të përmbajtur dhe konvencionale; dhe zëvendësimin e saj me një formë të pakushtëzuar që është skena primare e iluzionit, ku ne do përfundojmë të takojmë të gjitha fantazmagoritë inhumane të të gjithë kulturave të tjera që kanë paraardhur atë perëndimore.
Warhol është ilustrimi i kësaj forme të pakushtëzuar.
Warhol është një mutant.
Në këtë etapë të makinizimit, të automakinizimit, nuk ka më asnjë hapësirë kritike, një hapësirë ku objekti dhe subjekti të jenë përkatësisht të pranishëm, por një hapësirë paradoksale, një hapësirë ku subjekti dhe objekti janë zhdukur respektivisht. Jo shumë e ndryshme kjo nga shkenca bashkohore, ku pozicionet e objektit dhe subjektit zhduken njëherësh, i vetmi realitet i objektit duke qenë ai i gjurmës që ai lë në një ekran kompiuteri. Kjo hapësire e re shkencore është po ashtu vetë, një hapësirë paradoksale. Nuk ka më ndonjë univers real pas ekraneve të cilët gjurmojnë trajktoren e pjesëzave sesa ka ndonjë subjekt. Warhol, pas imazhit të Warhol. Padyshim që nuk ka më art këtu; po siç (ndoshta) nuk ka më saktësisht as shkencë (çfarë do ishte një shkencë paradoksale?). Por kjo etapë paradoksale, është etapa ku ne gjendemi; dhe është e pakthyeshme.
Kështu pra që ne duhet ti japim fund polemikës së pafundme në lidhje me vlerën kritike apo jo kritike të Warhol (dhe gjithë pjellave të ngjashme), polemikën mbi bashkpunimin e tij me median dhe sistemin kapitalist. Qartazi, nuk ka ndonjë denoncim në universin e Warhol, siç nuk ka – nëse flasim tamam – as ndonjë anoncim. Kjo është forca e tij. Çfardo kuptimi kritik vetëm do të dobësonte pozicionin paradoksal. Çfarëdo negativiteti vetëm do të hiqte prej imazhit si një dukuri ekstreme, kjo është të thuash, indiferencës radikale të imazhit ndaj botës. Aty gjendet sekreti i imazhit, e radikalitetit të tij sipërfaqësor dhe pafajësisë së tij materiale, kjo aftësi të përthyejë çdo interpretim në zbrazëti. Është prej asaj se ruhet kjo indiference e imazheve ndaj botës dhe ruhet indiferenca (Warholiane) jonë ndaj imazheve, që mund të ruhet virulenca dhe intesiteti i tyre.
I tillë është imazhi pa objekt, të cilit i mungon imagjinata e subjektit. Si ajo thika e famshme pa teh të cilës i mungon bishti. Në vend që bishti të jetë i kundërvënë ndaj tehut, siç ndodh në rastin e një thike të vërtetë, mungesa e bishtit i kundërvendoset mungesës së tehut. Ky është perfeksionimi i thikës dhe i tillë po ashtu, është universi i Warhol, ku asgjë nuk i kundërvihet asgjëje. Që askush nuk i kundërvihet askujt, është në terma të tij, përsosja e tjetërsisë, sepse është kotësia që i lidh gjërat së bashku, që i lidh njerëzit bashkë.
snobizëm makinik
Nuk ka asgjë për të thënë për Warhol, Warhol-i vetë nuk ka thënë përveçse mu këtë gjë në gjithë intervistat e veta dhe në Ditarin e tij, pa retorikë, pa ironi, pa komente – ai vetëm, duke qenë i vetmi të ishte i aftë të përthyente kotësinë e imazheve të veta dhe gjithë asaj që bënte, në kotësinë e diskursit të tij. Është për këtë arsye se çfarëdo drite të mund të hidhet mbi objektin Warhol, efektin Warhol, do ketë gjithmonë diçka enigmatike rreth tij e cila, e zhvat atë jashtë paradigmës së artit dhe historisë së artit.
Enigma është ajo e një objekti që e ofron veten vetë në transparencë totale dhe si i tillë, nuk mund të natyralizohet nga një diskurs kritik apo analitik. Është ajo e një objekti sipërfaqësor, artificial i cili ia arrin të ruajë artificialitetin e vet, duke e çliruar veten prej çfarëdo domethënshmërie të natyrshme dhe merr një lloj intesiteti fantazmik, të zbrazur nga kuptimi që është ai i një fetishi.
Fetishi objekt, ne e dimë, nuk ka ndonjë vlerë. Apo më mirë dhe ndryshe, ka një vlerë abolute; jeton në ekstazën e vlerës. Kështu pra, çdonjeri prej imazheve të Worhol nuk ka ndonjë domethënie në vetvete, është i kotë dhe ka një vlerë absolute në të njëjtën kohë; ka vlerën e figurës prej së cilës, gjithë dëshira transhendente është hequr, duke lënë hapësirë vetëm për imanencën e imazhit. Është në këtë kuptim që ajo është artificiale. Warhol ishte i pari që solli fetishizmin modern, fetishizëm transestetik – ajo e një imazhi pa cilësi, një prani pa ndonjë dëshirë.
Warhol e fillon prej një imazhi të vjetër çfarëdo, asgjëson dimensionin imagjinar të tij dhe e bën një prodhim të kulluar vizual. Ata që punojnë me imazhe shkencorë, videosh apo të gjeneruar nga kompiuteri, bëjnë saktësisht të kundërtën e kësaj. Ata përdorin material të gjallë dhe makinën për të bërë art. Warhol është një makinë. Ai është metamorfoza e vërtetë makinike. Të tjerët shfrytëzojnë teknologjinë të krijojnë iluzione. Warhol ofron iluzionin e kulluar të teknologjisë – teknologjinë si iluzion radikal – një iluzion shumë më superior sot sesa ai i pikturës.
Imazhet e Warhol janë banalë, jo sepse mund të thuhet se ata janë pasqyrime të një bote banale, por sepse ata janë prodhime të mungesës së çfarëdo pretendimi interpretues nga ana e subjektit. Ato janë prodhime të ngritjes së imazhit në figurim të kulluar, pa kurrëfarë transfigurimi. Nuk ka më transhendencë, por ngjitja e parreshtur e shenjës e cila, duke e humbur gjithë domethënien natyrore, shkëqen fort në zbrazëti nën rrezatimin e plotë të dritës së saj artificiale.
Në vizionin mistik, ndriçimi i detajit më të vogël vjen prej intuitës hyjnore e cila hedh dritë mbi të, ndjenja e transhendencës që jeton në të. Për ne, në kontrast, saktësia marramendëse e botës vjen prej ndjenjës se diçka është duke na shpëtuar prej esencës së saj, një e vërtetë që nuk trupëzohet, nuk jeton më në të. I tillë është Warhol dhe hipostaza e vet seriale e imazhit, forma e kulluar dhe e zbrazur e imazhit, ikonëria e tij ekstazike, e kotë, pa domethënie. Ai është në të njëjtën kohë një anti-mistik absolut dhe mistiku i ri, në kuptimin e asaj se çdo detaj i botës, çdo imazh, ngelet iniciues, por iniciues në asgjënë e mirfilltë.
Ky transmutacion fetishstik e ndan Warhol nga Duchamp dhe gjithë pararendësit e tjerë. Për Duchampi-in, Dada-istët, Surreal-istët dhe gjithë ata që punuan të dekonstruktojnë përfaqësimin dhe shprishin punën e artit, janë akoma pjesë e avant-gardës dhe i takojnë në një mënyrë ose në një tjetër, utopisë kritike. Për ne sot, sidoqë të jetë, arti ka pushuar së qeni një iluzion; është bërë një ide. Nuk është më idolatrik, por kritik dhe utopik, bile edhe – veçanërisht kur – demistifikon objektin e vet apo kur, me Duchamp-in, estetitizon me një lëvizje, me stendën e vet të shisheve, gjithë fushën e realitetit të përditshëm.
Kjo është e vërtetë për një segment të gjatë të Pop-Artit, në atë vizionin e vet lirik të kokoshkave dhe fletoreve me vizatime. Banaliteti bëhet këtu kriteri i shpëtimit estetik, mjeti që ekzalton subjektivitetin krijues të artistit. Duke e shfarosur objektin ashtu që më mirë të piketosh hapësirën ideale të artit dhe pozicionin ideal të subjektit. Por Warhol nuk i takon asnjë avant-garde dhe asnjë utopie. Dhe nëse ai e krijon aurën e utopisë, ai e bën këtë sepse, në vend që ta projektojë atë gjetiu, ai vetvendoset mu në zemër të saj, kjo është të thuash, në zemër të kurrkundit. Ai është vetë ky jo-vend; është kështu sesi ai përshkon hapësirën e avant-gardës dhe më një lëvizje përfundon ciklin e estetikës. Kështu është sesi ai së fundi na çliron prej artit dhe utopisë së tij kritike. Arti modern ka bërë një rrugë të gjatë në dekonstruksionin e objektit të vet, por është Warhol që ka shkuar edhe më tej me asgjësimin e artistit dhe aktit krijues. Ky është snobizmi i tij, por është një lloj snobizmi që na liron prej çfarëdo mbindjeshmërie ndaj artit. Mu sepse është i ngjashëm me makinën. Tek Picabia dhe Duchamp-i, makina është akoma e pranishme si një surrealizëm mekanik, jo si makinizëm – jo me fjalë të tjera, si realiteti automatik i botës moderne. Ndërsa Warhol identifikohet kulluar dhe thjesht me makiniken, çfarë është ajo që i jep imazheve të tij fuqinë e tyre ngjitëse. Artistë të tjerë, edhe nëse ata flirtojnë me banalitetin, nuk e kanë këtë fuqi prej reaksioni zinxhir të imazheve. Kjo është sepse ata nuk kanë arritur të bëhen snobë të vërtetë. Ata janë vetëm artistë. Puna e tyre shkon deri në gjysmë të rrugës të artificit. Megjithqë ata e kanë humbur sekretin e përfaqësimit, ata nuk nxjerrin rrjedhoja prej kësaj, rrjedhoja që vërtetë, në snobizmin makinik, ngërthejnë një lloj vetvrasjeje.
Me Warhol-in ne kemi minimumin e pretendimit për të qenë, strategjinë minimale të mjeteve dhe qëllimeve. Dikujt i duhet të lexojë Ditarin e tij – gjithë ditarin e tij – si shfaqja më e hollë e gjithë kësaj transparence, kjo lloj mungese e përpiktë shprehjeje, kjo dëshirë për kotësi, që është padyshim versioni ynë modern i vullnetit për pushtet…
Vegla
Do m’japsh atë që’eq’i?—tha Nasipi me atë zërin e vet mërzitshëm hundor, pa ngjyrë dhe njëmasësh, më shumë të prodhuar nga ajri i veshëve se i mushkrive. E kishte futur kokën ndërsa mbështetej në brryla në sportelin e kuzhinës. Një paralelopiped ky i ngushtë, brinjëtrashë dhe imagjinar sepse krijohej vetëm nga muri në të cilin ajo vrimë e saktë ishte hapur, mur që ndante kuzhinën ku kullandriseshin të njohurat me mensën ku haheshin të përhershmet dhe ku pihej e rregullta dhe gjerbeshin të zakonshmet. Korniza e asaj së hapmes që prej druri pishe të lyer me një bojëqielli të pamundur por ekzistente dhe për atë shkak, meqënëse ekzistente, edhe ngjitëse dhe ngjirur. Megjithqë Nasipi qe goxha shpatullngushtë dhe kokëvogël, hapësira që ai zinte brenda kornizës ishte më e madhe sa ajo që mbetej për të parë. Nëse zgjatje atë çast vështrimin që nga brenda kuzhinës me sobë druri matanë supit të tij të hollë dhe të drejtë mund të shihje dy a tre burra të tjerë që rrufisnin pa nge ca lëngje dhe fërkonin kalimthi mjekrat me tym.
Nasipi, nuk kishte kurrë arsyet e të tjerëve për të hyrë aty. Përveç se shef kuadri ky ishte dhe burrë i duhur dhe shembullor, pabërllafe, arsye kjo për të cilën ishte shef kuadri kur këta ekzistonin. Karriera e tij ishte e shkurtër por e shkëlqyer edhe pse premisat janë mjaft të errta dhe për momentin të pazhbirueshme. Pasi mbaroi tetvjeçaren nga e cila doli me pjesën më të madhe të alfabetit të përvetsuar suksesshëm, bëri ushtrinë në fshatin e vet me trembëdhjetë shtëpi dhe kur e mbaroi e bënë brigadier të brigadës së vetme me burra e gra që bënin ato që i dimë poqe se na kujtohen. Por pastaj me apo pa dëshirën e tij e sollën në Vlorë dhe e veshën polic, detyrë që e kreu ashtu si e kuptoi, kuptim i cili nuk mund të merret vesh sepse ai ishte mjaft i përmbajtur të shprehej. I dhanë një apartament dhe e bënë të lumtur se i qetë ishte. Ata që i bënë të gjitha këto, ashtu si dhe arsyet mund vetëm të merren mend. Ca vite pasiqë ishte polic i thjeshtë e bënë polic të plotfuqishëm në një fshat aty afër ku gjeti meqë iu dha rasti të ishte i plotfuqishëm dhe prapë pjesërisht në fshat, një grua që po i binin flokët dhe që e tundëte kokën si indiane Indie edhe kur gëzohej edhe kur mendonte se duhej të qante. Nuk dihet nëse ishte kjo meritë hutuese që e bëri atë të meritueshme për Nasipin, i cili nuk dihet si vendosi por ama dihet që u martua. Pak pas kësaj vrau padashje një burrë që kish ca fëmijë me mosha të ndryshme. Ata e kuptuan që këtu kishte diçka që shkonte dhe e bënë shef kuadri për/dhe në të dyzetat e atij tjetrit, të një ndërmarrjeje ndërtimi të madhe dhe që titullohej Perlat Rexhepi. Për ata që nuk e dinë poeti tha “ Çka po thot Perlati/ Burra bahi gati/ Se ka ardhë sahati/ Shqypënisë me i dhanë barot” dhe prapë, “Perlat toskë vlonjaku/ Aty ku të ra gjaku/ Lulëzon zambaku/ Lule për mejdan”, për ata që nuk e kuptuan si e qysh mu tek këto vargje është lidhja e emërimit të Nasipit dhe bëmave me yje të urinuar i cili ndenji në atë post deri në fund të fundit kur e nxorën në pension para kohe se i kishte dhënë më shumë se çduhej atdheut ose për ti dhënë dhe thënë ndryshe.
Siç dhe ndër të tjera tha prapë–Bërshime, me ty e kam, do m’japsh atë që’eq’i. Bërshimja, një grua e kolme sepse kuzhiniere të përhershmesh, po bënte të njohurat e drekës së puntorëve që nuk hanin në fakt aty, ktheu kokën me leshura të mbledhura mbi kokë dhe rrotulluar po aty dhe tha-Hë?! Nasipi e humbi pak fillin që rrallë e gjente dhe përsëriti pa e bërë veten por duke u mbibërë, trashi pa sukses zërin, zgjati dhe më brenda kokën, e vështroi tjetrën me ata sytë e tij të vegjël dhe vetpërpilues dhe shqiptoi prapë– Atë që’eq’i, me njëfarë drithërime nga parandjenjat që po turbullonin e që meqë nuk e dinte ç’ishin këto ndjenja të reja vendosi të këmbëngulte se nuk i kishte, edhe zëri, siç po thuhej, i ndërroi pak, aq sa për ti tia zhdukur fare dyshimet asaj tjetrës se aty po luhej një lojë e lojtur fare…edhe afrohet dhe thotë duke bërtitur, por kuptueshëm-Çdo ti more mos të dashtë njeri, çthe ore, çthe të thashë, mos e thuaj prapë ta thënçin në rrëzë të veshit, mos më fol mua ashtu ti more, morr, more vesh…mora thuaj, ça kujton se jam unë që mos qofsh e mos pafsh ditë të bardha, hyt sikterisu, sikterr, u sterrofsh e mos gjesh derman, më ik or të thashë zduku, u zhduksh nga faqe dheut, ore çmë rri aty si rrënxuar, rënç e thefsh qafën, paske qenë maskara e shkuar maskarenjëve…Edhe i afrohet se ai tjetri nuk po e besonte që gjë po ndodhte, nuk po e mblidhte se nuk kishte cfarë dhe kur ajo gruaja qe mu përpara kokës së tij me kapele pas se cilës ishin nja tre burra që i kemi përmendur dhe ishin afruar se edhe atyre nuk u besohej ca nga lëngu dhe ca nga këndellja dhe Nasipi mes gjithe palëve shef kuadri, i duhur, shembullor dhe ish-polic me ndërgjegje të panjohur, e shikon atë gruan që ishte dhe e xhindosur dhe e habitur dhe i thotë pa bërtitur por jo dhe pa nerv-Atë që’eq’i dua, të thashë. Edhe Bërshimja me një dorë më të rëndë se kusia me të përditëshme ia pëllcet në fytyrë një pëllëmbë gjithë gishta si kulluface të ngjeshura duke e hapur më parë krahun aq shumë saqë gjatë kohës që e përshkruante atë trajektore fishkëllim- thellë të mund ti thoshte-satëme, satmotre e satshoqeje kërkou të kerkofshin qentë e rrugëve– dhe koka e vogël e Nasipit që nuk kishte flokë, nuk ishte se duhej shtuar këtu, u përplas tek korniza e sportelit pa bubullimë se druri qe i vjetër dhe i lyer me bojë vaji, por më një kërcitje bashtingëlloresh, të mbytur dhe të lagësht dhe me zor u mbajt për kornizë me duart e vogla dhe të buta. Atë çast ata burrat u lëshuan e mbajtën për shpatullash dhe njëri filloi ti thoshte—Turp, goxha burrë, shumë turp, hajde, hajde ikim tashi—pastaj me zë të ulët, duke i pëshpëritur—Nuk, bëhet kështu kjo punë, faqe botës, me zë të lartë. Mirë, ti shef kuadri je, ke ndonjë gjë në dorë, po duhet ti gjesh anën, jo kështu. Po kaq keq të ka rënë në kokë. Epo pikë e zezë. Bërshimja, breshërinte thekshëm. Nasipi nuk kuptonte fare dhe filloi të përpiqej të bërtiste duke ia dalë më në fund dhe duke i shtyrë ata të tjerët me dyshim dhe humbje—atë që’eq’i, atë që’eq’i, e dua, më duhet, atë që’eq’i. Ata burrat e humbën fare fillin që çoku e kishin. Bërshimja nga ana e vet gati u çmend se absurdi nuk njihej fare nga ato anë e ndërmarrje, dhe ulëret prapë, jo, në vazhdim—ah kur nuk ta hoqa me mashë të heqshin zvarrë të mos kishe derdëllitur më në jetë të jetëve. Nasipi nuk priti që ajo të mbaronte por u ndriçua i tëri, fitoi fuqi dhe dinjitet, turfulloi, u shkund dhe tha me zë të plotë dhe të rreptë aq sa mundej, por dhe të gufuar e enjtur, i mbushur vetë me shpallje dhe largpamësi-Mashën e mutit desha, mashën, mashën e mutit!
temperaturë
Secili nga ne është paracaktimi i tjetrit dhe nuk do mendje se paracaktimi i secilit prej nesh është ta shkatërrojë ose joshë tjetrin, jo për shkak a për hir të ndonjë mallkimi apo shtyse të vdekjes, por për hir të paracaktimit vital të mu vetes sonë.
Midis rracës së njerëzve dhe asaj të mikrobëve ekziston një simbiozë totale dhe një papajtueshmëri radikale. Të dy nuk i kundërvihen kurrë njëri-tjetrit prej natyrave të tyre thelbësore as nuk e luftojnë njeri-tjetrin në ndonjë kuptim të vërtetë, por ata janë të lidhur me njëri-tjetrin megjithatë; dhe kjo ndërlidhje është e paracaktuar: as njerzit as mikrobet nuk mund ta imagjinojnë punën të jetë ndryshe. Nuk është se ka as ndonjë linjë ndarëse, sepse lidhja është e prodhuar, prodhohet pafundësisht. Kështu që pas së gjithash duket se mund të thuhet se tjetërsia ndodhet mu këtu, tjetri absolut është mikrobi në atë jonjerzizmin e tij rrënjësor, një qenie që për të cilën ne nuk dimë asgjë dhe që bile i cili, as mund të shihet si i ndryshëm nga ne. Mikrobi si forma e fshehtë e cila ndërron çdogjë dhe me të cilën është e pamundur çfardo marrëveshjeje apo pajtimi. Prapë, ne gjallojmë prej së njëjtës jetë si ajo e mikrobëve dhe rraca e tyre do zhduket me atë të njerzve, ne kemi të njëjtin fat me ta. Të vjen ndërmend ai krimbi që ka një lloj alge që i gjallon në stomak pa ndihmën e së cilës ai nuk do mund të treste asnjëlloj ushqimi. Bukuri, kështu derisa krimbit i shkon mendja – që nuk e ka, duhet shtuar këtu – të shpërbëjë edhe algën vetë. Dhe kështu bën, duke i shkaktuar vetes vdekjen si rezulat (pa arritur ta tresë sidoqoftë, sepse alga nuk është më aty që ti shërbejë ta bëjë atë punë).
Fragment nga!
Vetvrasja nuk ka qenë vetëm se e vetmja mundësi, realizimi i së cilës filloi me vrasjen e fantazisë. Modelet dhe arsyet – këto të fundit dyshueshëm të ngjashme, sepse kur propozoheshin në moshë të njomë nuk mund tu dallohej stili i ndryshëm dhe përmbajtja e njëjtë – ishin të gatëshme dhe pothuaj të përjavëshme. E ardhmja pra ishte e mbyllur në një akt me skenografi dhe pa skenar njëherë e mirë, të cilit ti po i jetoje prologun kolegjial – aktorët ishin dhe shkruesit e jetës tënde edhe jashtë dramës së vërtetë. Por meqenëse mundësia e vetme ashtu siç ekzistenca ka fantazmën e vet, Tjetrën e vet dhe meqënëse e para ishte e dyta dhe anasjelltas, rrjedhimi qe se ti nuk dije nga tia filloje. Kjo është të thuash se: vetvrasja kishte ndodhur ashtu siç edhe fakti që ti jetoje dhe ti e shihje të gjithën përmatanë atij çasti – vetëm se Tjetra e jetës tënde dhe Tjetra e vetvrasjes tënde ishin dy fantazma të përveçme dhe të kundërta – duke jetuar ashtu si të kishe vdekur tashmë; me dy shembëllime pa shpresë – dhe pa asnjë realitet.
Ende dëgjohet fjala “vetvrasje” me zërat e dashur që shqiptonin “ vri veten”. Halla e madhe dukej se e këshillonte a urdhëronte – varej nga intesiteti grarizmit dhe të përmuajshmet – më shumë nga dëshpërimi që e kapte herë pas here, kur e humbte pothuaj fare shpresën se do të bluante kanceri mëlçinë dhe syrin në të njëjtën kohë. Shpresën, sepse ajo nuk harronte kurrë të lutej me pasthirrma gladiatorësh – që janë të vetmit që nuk ndeshen me fatin – duke drejtuar duart e rënda dhe sytë e mullët dhe zërin luginor nga qielli dhe të buluronte fjalët – O Zot i Madh, fjala ime në vesh të Perëndisë. Këto ishin dy fantazma të tjera që fatkeqësisht janë bisedë e një tjetër here. Siç u përmend; ca nga trishtimi dhe ca nga pafuqia nganjëherë dhe ca nga graria dhe ca nga burrëria( grua pa burrë andaj) herë tjetër, vareshin qenësishëm arsyet, modeli dhe forma e propozimit. Në rastin e parë, të rrinte larg, sepse e ndiente se qëndrimi i zbutur do mund të ndikonte rendimentalisht efektin e kërkuar. Edhe urtë e butë edhe fizikisht afër nuk pranohej fare. Thoshte – Më mirë të mos bëhesh fare. Duhet ta kuptosh vëlla, që njeriu, po të jetë njeri duhet të dijë të zhduket kur e kupton që nuk është njeri. Por ti nuk je njeri dhe nuk mund ta kuptosh. Se po ta kuptoje, do ndryshoje ose do e kishe shpëtuar edhe veten edhe ne prej vetes tende. Nuk e di a më kupton. Nuk vazhdohet kështu. Mendohe. Merr një shall lidh sytë dhe hidhu nga ai shkëmbi nga hidhen të gjithë, tek kampi i punëtorve. Vdes në vend. Po dhe po nuk vdiqe, gjë që nuk ma ha mendja, se të tërë që janë hedhur kanë vdekur, do ngelesh ulok dhe njësoj ajo punë. Po të rrosh si ti, me këmbë e duar e kokë që stë hyjnë në punë, ja më thuaj ti – çe do? Por ti nuk merr vesh, kot që të them. E kuptove hallën? Se ne kemi bërë çdo gjë për ty, por ti vëlla nuk meriton asgjë.
Në rastin e dytë, cili ishte i preferuari se nuk të vinte para përgjegjsisë dhe sidomos sepse ishte më i kuptueshëm thoshte duke të qëlluar më të rrallë – Pse nuk vret veten, pse, pse ore nuk e vret veten, se do ta kisha bërë unë, por ti duhet ta bësh ndonjë të mirë në jetë vetë, sepse paske qenë maskara. Ik e var veten më mirë, si Haliti. Me një copë tel u var, në një degë ulliri. Ta vë unë telin ta vënçin thikën në grykë. Edhe andej nga kodrat, te varretevjetra . Jo këtu, se të vdiqa ta vrasësh veten këtu, se një fik kemi, s’do vjelim dhe ty dhe fiqtë. S’je ti as frut dimri as vere.
Halla e vogël, ishte hutueshëm indiferente. Ajo e fliste për vetvrasjen e pashmangshme dhe të domosdoshmme si për skuqjen e vezëve, pa pasion fare dhe me një fare neverie me shumë nga përtesa sesa ndaj subjektit. Dhe thoshte me një zë me të cilin mund të prodhoheshin tapa – Dëgjo vëlla, nuk të është mërzitur vetja akoma? Ti je pocaqi, je fëlliqsirë, je kërmë, je një gjë e ndytë, je i padurueshëm, ja të shoh se kuptoj si mundem, nuk të shoh dot më vëlla. Pse nuk hiqesh qafe? Pse nuk qërohesh? Pse nuk e asgjëson veten? Pse? Pse jo? Nuk je për asgjë. Ke gjithë poshtërsitë. Nuk i ke lënë gjë tytteti. Edhe ai si ti qe, e sheh si përfundoi? Vëlla! Pse nuk helmohesh me ndonjë helm? Me squfur se gurkali vetëm dhimbje barku te jep. Më duket! Përpara se të na sjellësh fatkeqsi të gjithëve, se ti kështu si e ke nisur do na shkatërrosh, do na degëdisësh në ndonjë fshat, do na futësh në burg të gjithëve. Se ti nuk je njeri, je kafshë vëlla. Nuk ke mëshirë. Nuk bën njeriu si ti. Bën si të do koka. Je komandant ti, i merr të gjithë pas vetes. Për të bërë gjëra të ulta, poshtërsi, maskarallëqe, budallëqe, flligështi, turpe, të zeza, të neveritshmet. Nuk ka fëmijë si ti, kujton se nuk kemi parë fëmijë të tjerë?! Ty vetëm, të pëlqejnë gjërat e shëmtuara, të ligat, të shpifurat, të qelburat, të ndyrat, të pistat. Çfarë dashurie të është dhënë ty nuk i është dhënë fëmije tjetër në botë, oooo sa të kemi dashur, të gjithë të kishin zili, por ti nuk e paske merituar, ti nuk meriton asgjë, prandaj më mirë të vdesësh. Babica është vendi yt vëlla. Të biesh rehat dhe ti dhe ne. Lyeje veten me benzinë dhe viri flakën, që të lash edhe gjynahet, Më dëgjove vëlla?
Xhaxhai ishte kundër vetvrasjes pas martesës dhe sidomos pasiqë pati fëmijë, por përpara kësaj edhe ai këshillonte butë e bindshëm – Shiko, unë jam njeri shumë i aftë, kam mbaruar ekonomikun shkëlqyer, kam punuar në fshat për disa vjet dhe nga që jam shumë i pregatitur më sollën në qytet. Aty ku punoj më shohin me admirim dhe respekt, sepse jam shumë i rregullt, shumë i zoti dhe shumë efikas. Efikasiteti është çelsi i suksesit dhe ndershmëria. Unë jam shumë i ndershëm. Jam shumë punëtor dhe i papërtuar. Puna është mëma e suksesit siç është përsëritja mëma e dijes. Prandaj ti them shpesh këto gjëra. Se ne të duam. Po ti nuk do njeri. Se po të doje do dëgjoje. Ti nuk dukesh të jesh njeri se nuk dëgjon, nuk vë mend.. Nuk e kuptoj nga ke ngjarë. Unë kam qenë përherë më i miri, në shkollë, në punë, gjithandej. Ti nuk ke ambicie si njeri. Ambicia është çelsi i suksesit…dhe vullneti. Unë me vullnet kam arritur çdo gjë. Vullneti për punë dhe studim është porta e arritjeve. Njerzit pa vullnet janë të humbur. Më mirë se të rrosh si i humbur është të humbësh. Shiko mua. Unë kam pregatitur diplomat e shkollës së lartë disa njerzve, jam mëngjërash dhe të tërë ma kuptojnë shkrimin, se jam stërvitur shumë. Të mos ishte se jemi familja e tyt eti do kishim bërë shumë përpara. Megjithatë ne kemi arritur sukses në jetë. Studimi është çelsi i suksesit. Po nuk studiove je i humbur. Më mirë se te jesh i humbur është të mos jesh fare. E kuptove xhaxhin?
Babai ishte më i rrallë e i vonë por edhe më i prerë i kthjellët. Kupto – thoshte, i qetë dhe fisnor- nëse nuk je i zoti në jetë, var një gur në qafë dhe hidhu nga kalaja. Njeriu duhet të çajë vetë në jetë. Të bëhet i zoti vetes. Të mos ketë nevojë për njeri. Më mirë tia lidhësh vetes litarin në grykë a një gur sesa të të lidhi bota. Ja kështu. Po prite nga të tjerët je i vdekur. E sheh që nuk je i zoti për gjë, jepi fund, mos e torturo veten.
Meqënëse vetvrasja ishte çështje kohe dhe padurimi, nuk ishte kurrë objekti i vërtetë i përsiatjeve. Objekti i vërtetë qe jeta tjetër, tjetri që ti ishe dhe vetvrasja e tij për arsye që nuk parashtroheshin. Sepse tjetri ishte i pamundur. Vetvrasja e tij qe e mundshme. Gjithë provat e tua ishin për ty një farsë por meqenëse pa publik ishin njëkohësisht dhe e ardhme…