O Klodi

në skenën e zbrazur, spektrale të dëshirës, karriget të kushtojnë sytë!

snobizëm makinik

with 8 comments

Nuk ka asgjë për të thënë për Warhol, Warhol-i vetë nuk ka thënë përveçse mu këtë gjë në gjithë intervistat e veta dhe në Ditarin e tij, pa retorikë, pa ironi, pa komente – ai vetëm, duke qenë i vetmi të ishte i aftë të përthyente kotësinë e imazheve të veta dhe gjithë asaj që bënte, në kotësinë e diskursit të tij. Është për këtë arsye se çfarëdo drite të mund të hidhet mbi objektin Warhol, efektin Warhol, do ketë gjithmonë diçka enigmatike rreth tij e cila, e zhvat atë jashtë paradigmës së artit dhe historisë së artit.

Enigma është ajo e një objekti që e ofron veten vetë në transparencë totale dhe si i tillë, nuk mund të natyralizohet nga një diskurs kritik apo analitik. Është ajo e një objekti sipërfaqësor, artificial i cili ia arrin të ruajë artificialitetin e vet, duke e çliruar veten prej çfarëdo domethënshmërie të natyrshme dhe merr një lloj intesiteti fantazmik, të zbrazur nga kuptimi që është ai i një fetishi.

Fetishi objekt, ne e dimë, nuk ka ndonjë vlerë. Apo më mirë dhe ndryshe, ka një vlerë abolute; jeton në ekstazën e vlerës. Kështu pra, çdonjeri prej imazheve të Worhol nuk ka ndonjë domethënie në vetvete, është i kotë dhe ka një vlerë absolute në të njëjtën kohë; ka vlerën e figurës prej së cilës, gjithë dëshira transhendente është hequr, duke lënë hapësirë vetëm për imanencën e imazhit. Është në këtë kuptim që ajo është artificiale. Warhol ishte i pari që solli fetishizmin modern, fetishizëm transestetik – ajo e një imazhi pa cilësi, një prani pa ndonjë dëshirë.

Warhol e fillon prej një imazhi të vjetër çfarëdo, asgjëson dimensionin imagjinar të tij dhe e bën një prodhim të kulluar vizual. Ata që punojnë me imazhe shkencorë, videosh apo të gjeneruar nga kompiuteri, bëjnë saktësisht të kundërtën e kësaj. Ata përdorin material të gjallë dhe makinën për të bërë art. Warhol është një makinë. Ai është metamorfoza e vërtetë makinike. Të tjerët shfrytëzojnë teknologjinë të krijojnë iluzione. Warhol ofron iluzionin e kulluar të teknologjisë – teknologjinë si iluzion radikal – një iluzion shumë më superior sot sesa ai i pikturës.

Imazhet e Warhol janë banalë, jo sepse mund të thuhet se ata janë pasqyrime të një bote banale, por sepse ata janë prodhime të mungesës së çfarëdo pretendimi interpretues nga ana e subjektit. Ato janë prodhime të ngritjes së imazhit në figurim të kulluar, pa kurrëfarë transfigurimi. Nuk ka më transhendencë, por ngjitja e parreshtur e shenjës e cila, duke e humbur gjithë domethënien natyrore, shkëqen fort në zbrazëti nën rrezatimin e plotë të dritës së saj artificiale.

Në vizionin mistik, ndriçimi i detajit më të vogël vjen prej intuitës hyjnore e cila hedh dritë mbi të, ndjenja e transhendencës që jeton në të. Për ne, në kontrast, saktësia marramendëse e botës vjen prej ndjenjës se diçka është duke na shpëtuar prej esencës së saj, një e vërtetë që nuk trupëzohet, nuk jeton më në të. I tillë është Warhol dhe hipostaza e vet seriale e imazhit, forma e kulluar dhe e zbrazur e imazhit, ikonëria e tij ekstazike, e kotë, pa domethënie. Ai është në të njëjtën kohë një anti-mistik absolut dhe mistiku i ri, në kuptimin e asaj se çdo detaj i botës, çdo imazh, ngelet iniciues, por iniciues në asgjënë e mirfilltë.

Ky transmutacion fetishstik e ndan Warhol nga Duchamp dhe gjithë pararendësit e tjerë. Për Duchampi-in, Dada-istët, Surreal-istët dhe gjithë ata që punuan të dekonstruktojnë përfaqësimin dhe shprishin punën e artit, janë akoma pjesë e avant-gardës dhe i takojnë në një mënyrë ose në një tjetër, utopisë kritike. Për ne sot, sidoqë të jetë, arti ka pushuar së qeni një iluzion; është bërë një ide. Nuk është më idolatrik, por kritik dhe utopik, bile edhe – veçanërisht kur – demistifikon objektin e vet apo kur, me Duchamp-in, estetitizon me një lëvizje, me stendën e vet të shisheve, gjithë fushën e realitetit të përditshëm.

Kjo është e vërtetë për një segment të gjatë të Pop-Artit, në atë vizionin e vet lirik të kokoshkave dhe fletoreve me vizatime. Banaliteti bëhet këtu kriteri i shpëtimit estetik, mjeti që ekzalton subjektivitetin krijues të artistit. Duke e shfarosur objektin ashtu që më mirë të piketosh hapësirën ideale të artit dhe pozicionin ideal të subjektit. Por Warhol nuk i takon asnjë avant-garde dhe asnjë utopie. Dhe nëse ai e krijon aurën e utopisë, ai e bën këtë sepse, në vend që ta projektojë atë gjetiu, ai vetvendoset mu në zemër të saj, kjo është të thuash, në zemër të kurrkundit. Ai është vetë ky jo-vend; është kështu sesi ai përshkon hapësirën e avant-gardës dhe më një lëvizje përfundon ciklin e estetikës. Kështu është sesi ai së fundi na çliron prej artit dhe utopisë së tij kritike. Arti modern ka bërë një rrugë të gjatë në dekonstruksionin e objektit të vet, por është Warhol që ka shkuar edhe më tej me asgjësimin e artistit dhe aktit krijues. Ky është snobizmi i tij, por është një lloj snobizmi që na liron prej çfarëdo mbindjeshmërie ndaj artit. Mu sepse është i ngjashëm me makinën. Tek Picabia dhe Duchamp-i, makina është akoma e pranishme si një surrealizëm mekanik, jo si makinizëm – jo me fjalë të tjera, si realiteti automatik i botës moderne. Ndërsa Warhol identifikohet kulluar dhe thjesht me makiniken, çfarë është ajo që i jep imazheve të tij fuqinë e tyre ngjitëse. Artistë të tjerë, edhe nëse ata flirtojnë me banalitetin, nuk e kanë këtë fuqi prej reaksioni zinxhir të imazheve. Kjo është sepse ata nuk kanë arritur të bëhen snobë të vërtetë. Ata janë vetëm artistë. Puna e tyre shkon deri në gjysmë të rrugës të artificit. Megjithqë ata e kanë humbur sekretin e përfaqësimit, ata nuk nxjerrin rrjedhoja prej kësaj, rrjedhoja që vërtetë, në snobizmin makinik, ngërthejnë një lloj vetvrasjeje.

Me Warhol-in ne kemi minimumin e pretendimit për të qenë, strategjinë minimale të mjeteve dhe qëllimeve. Dikujt i duhet të lexojë Ditarin e tij – gjithë ditarin e tij – si shfaqja më e hollë e gjithë kësaj transparence, kjo lloj mungese e përpiktë shprehjeje, kjo dëshirë për kotësi, që është padyshim versioni ynë modern i vullnetit për pushtet…

Written by d

August 15, 2007 at 10:53 am

Posted in Uncategorized

8 Responses

Subscribe to comments with RSS.

  1. Duchamp nuk ka qenë, nuk ka pranuar asnjëherë që ka bërë pjesë e dy rrymave DADA dhe Surrealizëm.
    Sidoqoftë, Andy Warhol i ka shërbyer shumë koncepti ready-made duchampian, ashtu si dhe shumë breza artistësh.
    Eshtë e rëndësishme të lexohet Ditari që ai shkroi, për tu futur më thellë në botën e tij që qe shumë e thjeshtë, por nganjëherë thjeshtësia nuk deshifrohet me fjalë, edhe pse shumë kritikë arti kanë marrë penën dhe kanë mbushur faqet me fjali e ide.Andy Warhol jetonte,ai përdorte çdo gjë që i kalonte nëpër duar për t’i dhënë firmën e tij,e njëjta gjë që Duchamp bëri me R MUTT, kur firmosi shurrtoren e tij.

    Salvator

    August 15, 2007 at 5:14 pm

  2. Po ta vësh re emri i Duchamp-it fillon një enumeracion, sikur të dëshirohej të jepej ideja që ju keni përftuar nuk do ishte përmendur emri personal përpara dy shkollave vijuese, por vetëm në rastin se do përmendej ndonjë punë specifike e tij.
    Për më shumë për Warhol, nesër.
    Unë nuk e di se çfarë keni ju ndërmend kur thoni se thjeshtësia nuk u shprehka me fjalë, pohimi është shumë i përgjithshëm dhe pothuaj e pamundur të imagjinohet objekti që ju mund të keni parasysh, por nëse është fjala për botën e brendshme të Warhol ajo është një bosh qesharak dhe i sikletshëm. Thjeshtësia në rastin e tij është ekuivalente me botën shpirtërore të një bime…Dhe nëse ka ndonjë gjë unë e kuptoj mirë, më besoni janë tekstet.
    Ju nuk bëni asnjë pohim që kundërshton apo sjell ndonjë shprehi që të na verë në dyshime, ju thoni mjaft thjeshtë se Warhol “jetonte, ai përdorte çdo gjë që i kalonte nëpër duar për t’i dhënë firmën e tij”, po kjo është marrë si e dhënë në tekstin mësipërm, kjo është çfarë kushdo mund të thotë për personazhin në fjalë, është pikërisht kjo që po analizohet, çfarë realisht doni të thoni ju, pse ju duket ju se ky është ndonjë atribut i rrallë dhe shenjë dalluese dhe veçuese e tij? A jeni i sigurt që e keni lexuar tekstin e mësipërm?

    d

    August 15, 2007 at 7:17 pm

  3. Po Warhol e njohim të gjithë me riprodhimet e Coca-Cola, Marilyn Monroe, kronikat e american way of life. Eksperienca që mund të përftohet nga punët e tij është një eksperiencë abstrakte. Punët e tij janë akull të ftohta, pa shpirt. Një ekstazë mekanike. Produktet dhe mjetet e mediave janë baza e dhënies vlerë të një pune. Andy Warhol dhe jeta e tij është dhe vepra artistike që ka bërë. Me një gjuhë fotografike ai shfrytëzon vlerat e konsumit për t’i trajtuar në një dimension tjetër, atë të artit. Pra jeta e tij ishte një vepër arti, shënjë dalluese dhe qartësuese.
    Mbi Warhol kam lexuar dhe deri diku e pranoj këtë ide neo-dadaiste që ai kishte, por për mua përsonalisht, neo-dadaizmi ishte vetëm një ulje e paramenduar sepse në të vërtetë DADA ishte një fjalë utopike, pa sens në lidhje me artin, por vetëm një kundërshtim, rebelim që rumuni Tristan Tzara mendoi të udhës për t’iu kundërvënë një tradite shqetësuese. Për Warhol nuk është përmbajtja e imazheve ajo që ka vlerë-shishe coca-cola, fytyra e Maos, Marilyn-it, se sa cilësitë e një riprodhimi mekanik të imazhit dhe përdorimin që i bën media me makinacionet e veta (Alberto Boatto, Pop Art ed. Laterza, 1998).
    Atë që doja të thoja nuk kishte lidhje me vëzhgimet e vyera të këtushme, por thjesht një qëndrim përsonal në lidhje me një artist që ka krijuar një model të ri për qëndrimet e tija të ftohta. Do të ishte me interes të përmendet këtu dhe vepra e Damien Hirst, i cili shet për miliona euro veçsa pilula, apo lopë të sharruara e të futura nëpër tezga, gati për ekspozim. Sidoqoftë, arti nuk ka ndalje, ai rigjenerohet nga mendjet dhe energjia e pashterrshme njerëzore e cila, i krijon atij kushtet për tu pranuar si një cilësi, lluks i paparë ndonjëherë.
    Faleminderit.

    Salvator

    August 15, 2007 at 7:48 pm

  4. mua nuk me ka rene ne dore dhe nuk e kam lexuar ditarin e warhol. pyetja qe kam eshte rrjedhimisht nga jashte. a ka me teper ne ditarin e tij se c’mund te kete ne aktin e makinizimit te imazhit, apo eshte edhe ky ditar prodhim i makines warhol? ose me ndryshe, nuk jam i qarte se cdo te thuash se nuk ka trashendence ne imazhet e warhol. ne se nuk ka trashendence aty, a ka ne ditarin e tij? dhe nese nuk ka as aty, s’ka fare trashendence per trashendence?

    lulian kodra

    August 16, 2007 at 1:15 pm

  5. Warhol ishte agnostik, siç janë sot shumica fshehurazi.
    Agnostiku nuk thotë se Zoti nuk ekziston. Ai thotë: Zoti (ndoshta) ekziston, por
    unë nuk besoj tek ai. Warhol thotë: Arti ekziston (ndoshta), por unë nuk besoj
    në të. Dhe është pikërisht sepse unë nuk besoj në të, që unë jam më i miri. Kjo
    nuk është as krenaria, as cinizmi i reklamës. Është logjika e agnostikut.
    Fetishizmi seksual po ashtu, është seksualisht indiferent: nuk beson tek seksi,
    por vetëm tek ideja e seksit, që është natyrisht aseksuale. Kështu që ne nuk
    besojmë më tek arti, por vetëm tek ideja e artit, e cila vetë natyrisht, nuk ka
    asgjë estetike në të. Kështu Warhol mund të thotë: Nëse do isha i sigurt se çdo
    gjë që bëj nuk është veçse bllof, do kisha mundur të bëj gjëra të
    jashtëzakonshme. Nëse do e dija që gjithë ç’kam bërë nuk ishte prej meje, do
    kisha bërë gjëra të mrekullueshme. Ky është snobizmi dhe në të njëjtën kohë
    sfida kryeneçe e njeriut që nuk beson në gjënë që ai mund ta bëjë më mirë se
    gjithë ata të tjerë që munden.

    Warhol nuk e lodh veten kurrë. Agnostiku nuk e lodh veten kurrë
    të punojë për lavdinë e Zotit, apo të provojë ekzistencën e tij. Warhol nuk e
    lodh veten të provojë ekzistencën e artit. Sepse nuk ka absolutisht nevojë. Ne
    nuk na duhet më patosi i artit, sesa na hyn në punë patosi i vuajtjes apo i
    dëshirës. Një tipar Stoik ky. Çfarë është e mira e Warhol, është se ai është
    Stoik, agnostik, puritan dhe heretik në të njëjtën kohë. Duke patur gjithë këto
    cilësi ai ua kalon ato automatikisht gjithë atyre përreth tij. Bota është aty
    dhe është fantastike. Njerëzit janë aty dhe atë janë OK. Ata nuk kanë nevojë të
    besojnë në atë që bëjnë dhe ata janë të përsosur. Ai është më i miri por gjithë
    të tjerët janë gjenialë. Kurrë më parë nuk është shkallmuar kështu privilegji i
    një krijuesi nëpërmjet një lloji maksimal ironie. Gjithë imazhet janë të mirë
    sepse atë janë të gjithë iluzivë. Çdo njeri është i mrekullueshëm dhe
    fotografitë që ti u merr atyre janë të gjitha pashmangëshëm të suksesshme. Kjo
    është demokracia universale e figurantëve. Warhol vetë nuk bënë asgjë më shumë
    sesa luan pjesën e walk-on. Marylin Monroe është një aktore e walk-on,
    ajo është një yll vetëm e vetëm sepse ajo ka hyrë në walk-on. Kur qëllon
    Warhol, Solana nuk është asgjë tjetër vetëm se një figurant që po i shtin një
    figuranti tjetër. Asistentët e tij janë figurantë që punojnë për të, që punojnë
    në vend të tij. Çdo njeri – dhe jo vetëm në skenë dhe në botën e medias, por
    edhe në atë politike dhe morale – është i dënuar me pjesë walk-on.
    Warhol-in ngazëllen tej mase kjo gjendje walk-on-i si të ishte natyrë e
    dytë e tij.  Një makinë do ishte e palumtur, sepse do ishte përsosurisht e
    alienizuar. Por Warhol nuk është: ai ka shpikur gëzimin e makinës, gëzimin e
    bërjes së botës akoma më iluzive sesa ishte më parë. Sepse ky është fati i
    gjithë teknologjive: ta bëjnë botën edhe më iluzive akoma. Warhol-i e kuptoi
    këtë. Ai kuptoi se është makina ajo që gjeneron iluzionin total të botës moderne
    dhe sepse është prej martesës së lumtur me gjendjen (figurimin) e këtij
    walk-on
    -in makinik, që ai mund të bëjë efektiv një lloj transfigurimi, kurse
    ndërsa arti që e merr veten për të tillë, nuk duket vetëm sesi ndonjë simulim
    vulgar.

    Për sa i takon Warhol, pozicioni ti tij është shumë i thjeshtë.
    Fama ngrihet mbi mërzinë, po ashtu si aura e imazheve ngrihet mbi kotësinë e
    tyre. Në Ditarin e vet, menaxhimi i përpiktë i famës së tij shenjohet prej një
    indiference tronditëse ndaj jetës së tij. Fama është drita aksidentale e skenës
    që ndriçon aktorin e paditur në jetën e vet. Është aura e një ekzistence të
    conceptuar si një fait divers e pazakonshme, e bërë e pazakonshme prej
    dritës artificiale. Çdo gjë është nën ndriçim. Drita natyrore e gjenialitetit
    është e rrallë, por drita artificiale që mbretëron mbi botën është kaq e
    bollshme sa ka për të patur mjaftueshëm për këdo. Edhe një makinë mund të jetë e
    famshme dhe Warhol nuk aspiroi kurrë asgjë më tepër sesa celebritet makinik, një
    celebritet pa rrjedhoja, që nuk lë asnjë gjurmë. Celebriteti që vjen prej
    kërkesës që çdo gjë sot të aprovohet dhe festohet prej vështrimit. Thuhet se ai
    ishte vet-reklamues. Nuk është ashtu; ai ishte vetëm mediumi i atij operimi
    gjigand të reklamimit që bota e ushtron nëpërmjet teknologjisë dhe imazheve,
    duke e detyruar imagjinatën tonë të zbehet, pasionet tona të kthehen nga
    përjashta duke e thyer pasqyrën që ne u mbajmë të shihen (hipokritikisht, siç
    ndodh) ti mbledhim për përfitmin tonë.
     

    d

    August 16, 2007 at 6:34 pm

  6. Unë do ta përmblidhja gjithë atë që është shkruar këtu (në mënyrë të qartë për ata që qëndrojnë jo indiferentë përballë këtij përshkrimi intim) dhe gjithë ato që kam lexuar, për të qenë konçiz, se Arti është Andy dhe Andy është Arti.

    Salvator

    August 17, 2007 at 11:11 am

  7. Ti mund ta thuash, por kjo nuk është në asnjë rast përmbledhja dhe asfare ideja e asaj që thuhet, për më tepër, si dhe pikërisht, e kundërta e saj është. Warhol dhe arti janë antonime të njëri tjetrit, ose po aq të ndryshëm saç një libër me një makinë shkrimi.

    d

    August 17, 2007 at 11:22 am

  8. Eshtë vetëm një hollim i punës së artistit dhe kur them që Arti është Andy, idetë nuk kanë numër, mund të vrapojmë nga të gjitha drejtimet për të gjetur shpëtim, por shpëtim nuk ka. Njeriu është i pajisur me një qelizë që e detyron të krijojë edhe në momentet më të vështira. Andy u soll po aq ftohtë me punën sa dhe mediat dhe konformizmi i tyre. Ndërsa kur them Andy është Arti, kam parasysh këtu marrjen e disa personazheve të njohura të star-system-it amerikan, apo botëror dhe vëndosjen e tyre në një kornizë. Artisti në këtë rast legjitimon dëshirën e tij dhe vëndos imazhe të një epoke që i takon por e shpërfill, meqë vetëm Ai, njeriu krijues, mund të përdori një teknikë të tillë. Por, spekullimet nuk kanë mbarim, aq më tepër kur flitet për artistët Pop.
    Faleminderit.

    Salvator

    August 17, 2007 at 12:37 pm


Leave a Reply