O Klodi

në skenën e zbrazur, spektrale të dëshirës, karriget të kushtojnë sytë!

pafund

with 12 comments

Ka vetëm një mënyrë për të marrë fund – për ti dhënë fund, ti japësh fund, të vesh në fund – çdo njëra; dhe kjo është të gëlltisësh ombrellën tënde dhe ashtu, në të njëjtën kohë të mundohesh ta hapësh: imazhi i vdekjes dhe i rigor mortis.

Por ka akoma dy mënyra për të qënë i lirë ose/dhe i çliruar prej fundit tënd. Ose duke mos i përdorur me fund, gjer në fund, përfundimisht, në fund të fundit, gjithë mundësitë dhe aftësitë e tua (njeriu që nuk e hap çadrën e vet as kur bie shi) apo të kalosh përtej fundit, përmatanë mundësive të tua në një fushë të papërcaktuar veprimi (psh. t’a hapësh çadrën tënde edhe kur nuk bie shi). Problemi qëndron në atë se, a do e marësh vesh nëse mund të kalosh në anën tjetër – pra përmatanë – pa shkuar gjer në fund fare? Me fjalë të tjera, të dish nëse; a mund të bëhesh i pavdekshëm pa kaluar nëpërmjet vdekjes.

Tani, se çfarë ndodh matanë fundit, ti nuk e di. Enigma e ombrellës ngelet e pazgjidhur.

Written by d

September 21, 2007 at 5:18 pm

Posted in dyshime, vërejtje

12 Responses

Subscribe to comments with RSS.

  1. ndaj s’ja vlen te shkosh deri ne fund mendoj une nese nuk do ta dish fundin.sigurisht nese behet fjale vetem per kuriozitet.

    eni

    September 22, 2007 at 6:00 am

  2. Njeriu i ri nuk e kupton fundit, vetëm vetitë e tija shkatërruese. Fundi trajton një vlerë jo të vërtetë sepse fundi është i pabazë. Nuk fund, asgjë nuk na ndihmon të shkojmë drejt fundit. As filozofia nihiliste, as arti, as pornografia, as urrejtja e lindur, as tregtia e ndyrë e trupit. Të gjithë jetojmë, të gjithë kërcënohemi nga fundi, por ky nuk është fundi jonë, është vetëm një unazë që këputet (jeta) dhe shkëlqimi i një rrethi më të shpërbërë nga vuajtjet (vdekja). Kështu mendohet. Mendoj.

    Salvator

    September 22, 2007 at 12:39 pm

  3. Eni, fjala është për vdekjen, për mënyrën e vdekjes, që parakupton mënyrën sesi jeton. A mund të vdesësh figurativisht, në kuptimin a ke fuqi. Varja.

    d

    September 22, 2007 at 6:38 pm

  4. A nuk është të kuptosh vetitë, rruga apo mjetet për të kuptuar esencën?
    A është vdekja pa bazë dhe çfarë do të thotë kjo në fund të fundit?
    Çdo gjë që ti bën të shpie drejt fundit, i çfarëdo gjëje ky qoftë, megjithqë është e kuptueshme që ju flisni për fundin moral, si të thuash për “fundrrimin”, por pastaj ju shpreheni për fundin final që është vdekja dhe dashje pa dashje lini të kuptohet se ajo është imorale…gjë për të cilën duhet shumë e shumë për të thënë të mund të krijohet ndonjë lloj diskutimi me përmbajtje…nuk e kuptoj sidoqoftë se çfarë doni të thoni me “dhe shkëlqimi i një rrethi më të shpërbërë nga vuajtjet (vdekja)”…

    d

    September 22, 2007 at 7:29 pm

  5. Vdekja është fundi pranojnë disa. Frika na bën të jetojmë s më gjatë, biles edhe atëherë kur nuk ka më kuptim dhe fundi sikur e mposht këtë vrull qelizor. Doja të krahasoja shkëlqimin me fundin që nuk arrijmë dot ta përkufizojmë sepse asgjë nuk është me ironike sesa fundi i një mendimi që kërkon të kuptohet. mendimet nuk kanë fund ato paraqesin pafundësinë e termave dhe përcjelljen e frazave, por kjo është vetëm një spekullim i pafund i imi në lidhje me shkrimin tuaj. Mendime dhe esencë sikur nuk përshtaten me vizionin tim.

    Salvator

    September 22, 2007 at 7:38 pm

  6. Unë jam nga ata që besojnë se vdekja është vetëm fillimi dhe jeta vetëm prolog.
    Nëse më lejohet, unë – me atë timen – vë re gjëra në paragrafin tuaj të cilat, ashtu si i kuptoj, nuk bie dakort.
    Frika na bën të jetojmë më gjatë – kjo vetëm nëse do donim ti jepnim fund vetë, të vetvriteshim, ose ta lejonim veten te vdsinim, le të themi nga sëmundja apo infeksioni i dhëmballës, sepse frika as nuk e zgjat as nuk e shkurton jetën, vetëm e ndërron. Ora vjen dhe ti vdes, sado frikë të kesh apo sado trimërisht ta presësh. Nuk ka ndonjë çast të jetës që nuk ka më kuptim, vetëm nëse beson se jeta në tërësi dhe në çdo çast nuk ka kuptim (pjesa e errët e Emil Cioran, pa gëzimin stilistikor të tij), por unë nuk besoj se ju jeni i ngeshëm për një bisedë të tillë e cila nuk ka si të mos na çojë larg. Unë ende nuk kam takuar njeri që vërtetë nuk do të jetojë, bile dhe ata që vetvriten nuk dëshmojnë përveçse u pëlqente jeta aq shumë sa do e donin të ishte vetëm e tyrja, prandaj dhe vetvrasjet nga dashuritë e pambrrira, një lloj auto-hipokrizie kjo.
    Mua ma ha mendja se “shkëlqimi” duhet të jetë “jeta e dalluar” dhe “fundi” vdekja që do na e bëjë të pamundur të dimë sesa do vazhdojë të dallohet jeta (e njërit, dikujt) dhe vazhdimi (i fjalisë) nuk thotë – them unë – përveçse këtë. Por kush do e perceptonte ironinë e mendimit që nuk e mori vesh nëse u kuptua dhe që i erdhi fundi?
    Mendimet varen shumë nga sistemi brenda dhe nëpërmjet të cilit ti i modelon, nga sistemi yt i referimit po ashtu, nëse ky është kaosi, natyrisht nuk ka si të jetë ndryshe për dikë.
    Por ama idetë mund të shprehen, të shtjellohen dhe vërtetohen, bile edhe në shqip, blogu i Xha Xhait është shembull par exellence. Mendimet nuk kanë fund kur nuk janë duke kërkuar ndonjë përfundim, përndryshe mendimi do ishte i padobishëm. Një farë përgjigje kjo dhe për fjalinë tuaj të fundit.
    Të them të drejtën unë kam shumë dyshime nëse e kuptoj se çfarë jeni duke thënë. Nëse kjo është një mënyrë dhe stil të shprehuri që kërkon të barabitet me postimin në fjalë, apo me postimet e tjerë këtu, më duhet të pohoj se është strategjikisht mjaft efikase dhe mençurisht dinake, me fjalë të tjera; nëse qëllimi juaj është të riprodhojë tek unë thuprimin që unë vetë shkaktoj me postimet në fjalë ju i’a arrini mjaf mirë…në rradhë të parë mirë ma bën, e meritoj, në rradhë të dytë – gjithmonë nëse unë e kam kuptuar se çfarë thoni – kjo shërben si kundër-argument i asaj se mendimet e kanë një fund dhe sidmos një qëllim i cili, i’a qëllon jo rrallë në shenjë.

    d

    September 22, 2007 at 10:21 pm

  7. Të kuptosh diçka, ta kuptosh tjetrin, është një fund në mëndjen tënde dhe ftohje interesi për partnerin apo frazën me të cilën ti ke ndërtuar një rreth privat, që vetëm ti ke çelësat. Dhe blogu jot, në ndryshim me blogun e Xha xha-it, këtë ka të veçantë: lirinë për tu shprehur dhe menduar pa ndonjë qëllim paraprak. Të gjithë një ditë do ndërrojmë jetë. Disa të bekjonë kur je i vogël me: paç një jetë të gjatë. Po çfarë nënkuptohet me këtë? Jeta, a nuk është mjaft e shkurtër? Përse njeriu kërkon që ta zgjasi meqënëse nuk ka në dorë asgjë? Një filozof-shkrimtar gjerman thoshte se: “kur ajo (vdekja) është këtu, unë nuk jam më, dhe kur unë jam ajo nuk ndodhet këtu.
    Vetrvrasja ka një problem më shumë psikopatik sesa çlirues. Nën efektin e lëngjeve, pluhrave, famës, muzikës, filozofisë, revolucioneve, nuk është edhe aq e vështirë t’i japësh vetes një trajtim kërthizor. Kemi plot raste kur vetvrasja ka kthyer personazhet në mite, rasti i Jim Morrison.

    Salvator

    September 23, 2007 at 4:47 am

  8. Më mirë gjallë se vdekur *

    * mendimi im personal të cilin askush nuk është i detyruar ta përvehtësojë .

    eT

    September 23, 2007 at 12:48 pm

  9. Et – meqë do vdesim prapëseprapë është fjala, edhe pse është më mirë të jetosh. Përherë më mirë gjallë se vdekur, bile edhe sikur vetëm gjallë, por aman jo vdekur.

    d

    September 23, 2007 at 4:33 pm

  10. ju paska vra icik emigracioni m duket

    man o'the mountain

    September 26, 2007 at 5:48 am

  11. O D! * D like Djalë. Që je xhongler i fjalës, e di që në kohën e të shkretit Nasip. ** por unë s’e kisha llafnë të të mbushja mëndjen se është më mirë gjallë se vdekur. Kjo nuk kupton domosdoshmërisht që ti duhet t’më mbushmëshë mëndjen për të kundërtënë e kjo jo vetëm për faktin që rreth tetëmbëdhjetë ose njëzet përqind të një këmbe e kam në varr, por sepse shumë dëshiroj të të bind ty, që tek e fundit, po ta shohësh thellë, shumë, shumë thellë ama, jeta nuk është dhe aq e dhjerë sa na duket ndonjëherë.

    * të lexohet si thirrje, p.sh: O Derdimen !
    ** Ç’bën ?

    eT

    September 26, 2007 at 6:41 am

  12. Po as unë nuk mora ashtu O’ B*. Ti the thjesht “më mirë gjallë se vdekur”, këto të tjerat i shtove më vonë, unë vetëm rashë dakort dhe u përpoqa dhe të sillja ndonjë arsye sepse bija dakort, nuk mund të më akuzosh që nuk lexova një gjë që nuk ishte shkruar, as jam duke të mbushur mendjen se nuk kam sesi meqë po bie dakort, ndonjë sqarim të parëndësishëm bëra, për ndonjë tjetër ndoshta po ashtu përfshirë dhe shpreha mendimin tim si ndjenjë; dhe nuk mu duk se kam thënë – edhe pse dikush mund të kuptojë ashtu gjërash – se jeta është e dhjerë apo për të dhjerë apo e kaps a diarre, temperaturë dhe të vjella a ku di unë, se këto mendime i quaj personale, private dhe i mbaj sekret, por në mirëbesim po të them, që nuk i mendoj fare…kjo me siguri sepse jeta nuk me duket të ketë ato veti që i përmendëm, jo në ndonjë formë konkrete sidoqoftë…apo mos e kam gabim kam frikë se e kam?
    Ç’bëj, nuk po bëj gjë sidoqoftë…di unë, ja, jetoj, rroj herë pas here, marr frymë, jam gjallë me hope, englendisem kur nuk jam, mbarështoj njerëz e ndonjë hobi tjetër…se kush merret me mua tani t’i them të tëra, as unë nuk merrem dot me mua, jo se jam i vështirë, po përtoj…kur jam gjallë sidomos…

    * te lëxohet o bathbathë… ose o burrë.
    Ma thotë një mendje që nuk e ke emrin Ymer, prandaj nuk po të thërras. Ti i ke rënë në të t’imit. Derdimen është.

    d

    September 27, 2007 at 4:03 am


Leave a Reply