mbetje!
Zoti më faltë, por unë bindshëm i urrej pulat. Ne kishim pak më pak sesa të mundem të them shumë, në shtëpinë ku unë pothuaj jam rritur, pa u bërë megjithatë i madh, dhe që ishte ajo e gjyshes. Kjo për ti rënë shkurt, sepse shtëpia në të vërtetë ishte atyre që e mendonin si të tyren veç e veç. Shtëpia gjendej sapo ku fillonte barku i një kodre, mjaftueshëm në aq fryrje sa të mund mezi të shihej deti. Dukej në fakt vetëm si një vijë lapsi me ngjyrë përfund një flete punëdore, sesa si – deti, për të cilin unë mburresha se shihej të shtrihej romantikisht më afër. Dhe pastaj përqark shtëpi të tjera me faqe të përngjitura nga ana e rrugës që u rrëshqiste poshtë hundës së dritareve dhe bahçe të ndara me pula të ngatërruara për sherr nga ana tjetër. Ndërsa ende i vogël, shpesh herë gjatë gjithë kohës, jam përpjekur së paku njëherë tu mësoj ndonjë numër kafshëve që ne mbanim në kopësht, që përditë, çuditshëm për mua, edhe pse shtëpia e ç’ishte rrotull shtroheshin mbi një pjerrësi mendueshëm të ndjeshme, ai vetë ishte mërzitshëm i rrafshët dhe i mbjellë pamendshëm, në mos me nerv të kotë, me pemët e mundshme lokale. I shtyrë nga Pavllovi, por më shumë i frymëzuar nga “Kashtanka” e Çehovit – një libër që pëlqente të hapej herë pas here jo dhe aq ngaqë mua më mallëngjenin historitë me kafshë, meqë me to nuk identifikohesha dot e ashtu nuk përbuzesha siç kur zbulohesha tek kushdo personazh i padenjë gjetiu, por sepse grafikat e tij ngjyrë vere dhe sido të murrme e po aq të ujshme, të derdhura me një përpikmëri të dyshimtë mbi faqet e rralla si mbi një letër thithëse, pa kontur, të shpërhapura dhe zhveshura; më dukeshin, pak pasi lotoja mbi to nga studimi, jo si mbi fletë. Sepse ato rridhnin luhatshëm dhe vertikalisht, pa humbur formë derisa vinin të qëndronin pezull dhe qetësisht të dukeshin si tatuazhe të freskët mbi pëllëmbën pa llërë të dhomës a mbi barkun me eshtra të lyera të kopshtit, varësisht se ku i sillja. E ndersa ato më pezullonin unë u gëzohesha nxitimthi, sepse ashtu unë besoja se do ishin kujtimet që do kisha – unë u rreka më një mace, nja dy pata të vetme, një pulë e një lepur, tu mësoja si të më zbavisnin, por me shumë si të respektohesha. Lepurin mund vetëm ta kem marrë me mend. Gjithësesi. Ndryshe fare nga kafshët e tjera, nuk ia mbërrita kurrë, s’arrita kurrëdiçka me pulën, pa duk për sesa kokëfortësisht, durueshëm dhe pritshëm, shumë dhe gjatë u përpoqa unë për gati një vit a më, ajo nuk mësoi kurrnjësend, asgjë. Fare. Unë asnjëherë nuk kisha përjetuar ndonjë përvojë të tillë, kaq dëshpëruese dhe të zymtë dhe në të njëjtën kohë irrituese dhe përpëlitëse sepse ajo ishte kaq sasisht pashpresë dhe kaq patundshëm budalle. Kam dyshuar përherë, edhe tani, herëpashere, se ndoshta ishte pula që i ra hiseja të merrej me mua e tillë, vetëm. Dhe jo po aq ato të tjerat, për të cilat po njësoj dyshoja se do mund të çonin – nëse me to do merresha – dëm gjithë përpjekjet roitëse me atë të rastit. Se do më duhej të filloja nga e para ndërkohë që shpresa nuk më linte edhe pse absurde, e parsyeshme dhe sidomos në stilin e pulës, se ajo (pula) në ndonjë çast, përherë të fundit fatlum, do bënte ndonjë lëvizje të ëndërruar, do reagonte kuptueshëm. Shpresë që gjallonte po aq për ndonjë tjetër pulë, por që siç u përmend, e helmonte dyshimi im i dyfishtë se në të vërtetë nuk kishte ndryshim dhe se përpjekja duhej të kurorëzohej disi, sikur vetëm me ndonjë bindje a urtësi. Me kujohet sikur pak më parë. Qëndrimi i paçoroditur me të cilin ajo përballon botën e bashkuar në një gjerësi kërcënuese brenda kokës së vet. Sinkronizimi sfilitës midis ngritjes së njërës këmbë dhe këputjes segmentare të qafës, sepse nuk është dhe aq lëvizje sesa është një tik nervor, një farë konvulsioni minimal i histerisë së saj të qëllimshme, pastaj ky lloj vështrimi vetullngritur megjithqë pa vetulla, që duket sikur të mat duke të përçmuar me frikë, pabesi dhe tëhuajtje. Më acaronte dhe hutonte trishtueshëm krenaria e saj e mefshtë, sedra e saj e trembur por e ruajtur. Nuk dukej se ajo gjente ndonjë shkak, përveçse ishte rregullsisht e mirëqenë dhe se nuk ushqente asnjë dyshim të cilin e mbante të fshehtë. Ecja fotografike, me hope, e ndërprerë dhe e vazhduar në kuadrin tjetër, prapë vështrimi i paçoroditur me efekte, këmba, qafa, lafsha automatike që dridhet nënujshëm dhe prerë. Pak pasi merresha me të në fakt, bota vërtetë fillonte të trashej, disi, të dendësohej, të lëngëzohej, por pa ndryshuar përmasa dhe largësi. Tundja me gllënjka e lafshës – kësaj gjuhe që del nga qafa dhe që nuk shpreh as tallje, as libido, as lodhje, vetëm një kuriozitet virtual, zgjatim hypnotik i misterit të saj rudimentar, si penduli i papritur i një ore xhepi, trill i pamundur dhe i kotë – dërgonte me frekuencën e vet të parregullt, valë, që teksa përhapeshin nëpër ajër rrisnin dendësinë e tij, duke e bërë të karahasueshme me atë të vajit, margarines, vezëve. Në një atmosferë të tillë ishte e vështirë të kishe ndjenja të qarta, e aq më pak mendime të kthjellta. Çdo gjë ishte ende në vendin e vet dhe ruante format e mëparshme, por dukej se e gjitha ishte zhvendosur gjetiu, fundosur diku, brenda një ene faqet e së cilës zgjeroheshin vazhdimisht, pas çdo lëkundjeje të kokës së saj që ishte qendra e atij universi të përgjumur.
o, … kurioze (sinqerisht): Kendezi sillej ndryshe? E provove t’i mesoje ndonje gje? Cfare regjimi ushtrove (me pulat qe pershkruan)? Pavlovi i linte pa buke (jo tamam, por nuk po i hyj). Pula rron edhe me strall, thone (ndoshta prandaj dhe e tille ne pershkrimin tend te sakte).
Nuk e di nese te ndihmon. Por, di kete. Pyetja qe shtruan ata te tjeret ishte: sa (c’pjese, c’madhesi e saj) pule i duhej nje kendezi per te konsideruar nje akt kopulimi. Filluan ta disektonin pulen, pak nga pak; vertikalisht dhe dikur edhe horizontalisht. Ne fund; ja moren koken (ajo i kishte ngelur, e rruar), e ngulen ne nje hu dhe ja treguan kendezit. Ai prape, si gjithmone, ju hodh siper.
ujvara
April 3, 2008 at 10:45 am
Por kjo sepse edhe këndezi është pulë.
d
April 3, 2008 at 10:52 am
PJO. Pule si specie, por jo si gjini.
ujvara
April 3, 2008 at 10:55 am
Unë vërtetë nuk di ç’te them nëse ti mendon se unë u deshkërsha sqaruar në këtë pikë…dhe per rregjimin neser, po qe se të durohet.
d
April 3, 2008 at 10:58 am
por, ti the.
ujvara
April 3, 2008 at 11:01 am
që nuk kam çfarë them!
d
April 3, 2008 at 11:07 am
Ehhh, janë të rrezikshme pulat… Po ti paske shpëtuar paq or mik , se unë njoh njërin (s’po flas për vete, besomë), që kështu si ti deshi të zbuste një pulë, pra ta bënte t’i bindej dhe ta argëtonte. Pas ca muajsh që pat dhënë shenja se donte të zbuste pulën, u pa të sillej në mënyrë të çuditshme. Kur pula tulatej, shtrihej dhe ai përdhe. Kur pula çukiste ç’të gjente ( i njeh ti pulat, s’po hyj në detaje), ulej dhe ai të çukiste ç’të gjente. Kur pula hipte majë plehut dhe mundohej të këndonte si gjel (qe pulë e çuditshme, të betohem) dhe ai hipte majë plehut dhe thërriste majë krahut. Dhe kjo punë vazhdonte të paktën deri javën që shkoi, kur kalova për herë të fundit nga oborri i tyre. Pula, si pulë që është, nuk jepte asnjë shenjë mbi çfarë mendonte, nëse mendonte, apo si e ndjente sjelljen e re të njeriut. Krejt indiferente vazhdonte ritualet e veta. Por njeriu ama dukej i kënaqur nga marrjemosdhënia me pulën…
gripish
April 3, 2008 at 3:57 pm
Gripish,
kete historine e burrit qe donte te ishte pule une e quaj “Extended phenotype”; term qe e mekoi Dawkins (ai) dhe fenomen qe e shpjegoi po ai ne nje liber me te njejtin titull per boten shtazore, por qe une guxoj dhe e aplikoj edhe per ate njerezore (kur) sepse nuk me duket, me thene te drejten, shume me ndryshe.
d.
Eh, durimi. Edhe po s’pata, kam.
ujvara
April 4, 2008 at 8:07 am
Gripish, unë nuk jam pa dyshime nëse vërtetë kam shpëtuar. Edhe pse krahasimi me burrin dhe peshkun a pulën anektodike mund te mos jete literal përkah ngjashmëria të cilës i friksohem, në rendin simbolik të kuptimeve mund të mos ketë ndonjë ndryshim ngushëllues. Mua me tmerron idiotësia vetëm sepse e shoh te pranishme, si mundësi evidente dhe të shkëmbyeshme me çfarëdo të kundërte që mu për këtë shkak duket aksidentale. Fakti që premisat e përmendura në fjalinë që sapo kaloi janë të dyja të menduara prej meje dhe jo të themi, natyrore, mua thjesht më shtojnë dyshimet mbi natyrën e përgjithshme dhe konvencionale si dhe atë (natyrën) ashquajtshëm të Gjërave dhe përkatësisht specifike, gjë prej të cilës nuk duket se vuan Ujvara fiktive meqë ajo shfaqet e bindur dhe nuk ka nevojë për prova, përveçse ndoshta ky vështrimi prej nga lart-poshtë i botës që perderisa vetmitar dhe i pavarur dhe i pacënueshëm, hë…i larguar dhe objektiv arrin mos ta lejojë të jetë shembull në përfytyrimin e vet, praj dhe qëndrimi shpatullgjerë, por ama nuk i shpëton dot atij timit, dhe kjo nuk më bën te mendoj veçse se kam të drejtë (mbi mundësitë e përmendura si të njëhershme) duke ma dobësuar ndjeshëm shpresën qe dhe ashtu ishte mjaft e përpëlitur…nuk di kë të falënderoj.
d
April 5, 2008 at 11:26 am
interesant perceptimi dhe, rrjedhimisht, edhe interpretimi. Interesant edhe perfundimi. Konsistent, megjithate.
Une ne te vertete po prisja rregjimin e premtuar.
ujvara
April 6, 2008 at 4:01 am
d, me thënë të drejtën, ajo “paske shpëtuar paq” është njëfarë ngushëllimi i mefshtë (mund dhe ta kishe shkruar), më tepër bisedor sesa i ndjerë, i ngjashëm me “mirë që të ra vetëm një vazo në kokë dhe jo një kamion”, kur megjithatë shihet mirëfilli se vazoja ka hapur plagë dhe ka tronditur, kurse vdekja e ardhur nga kamioni mund të shihet si “faqe e bardhë” në disa treva të mendimit. Në fakt, nuk e di çfarë më trishton më shumë (se që përveç që qesha disa herë me humorin që të frëngëllonte me siguri kur e ke shkruar, u trishtova); kokëngulja jote për të zbutur pulën dhe urrejtja e rrjedhur prej pamundësisë së realizimit apo lëshimi po i rrjedhur prej po pamundësisë së realizimit të projektit të burrit anekdotik. Dhe pas kësaj, jam shumë e përpëlitur, si thua zotrote, mbi përfytyrimin e idiotësisë, që nën perspektivën e mësipërme, bëhet aq i gjërë sa e shoh veten të gjëndet brënda, dhe mbase është tamam kjo dhe që më trishton. Pas këtyre hamendjeve, nuk mund të le pa përshëndetur këndvështrimin e palëkundur shkencor të Ujvarës që duket pragmatik dhe, si i tillë, nganjëherë jep dhe rezultate.
Falenderoj prindërit, mësuesit dhe gjithë të afërmit për mbështetjen që më kanë dhënë gjatë gjithë viteve të fundit në rrugën time drejt këtij komenti.
gripish
April 6, 2008 at 10:30 am
o, paskam harruar të shpreh me shkrim trishtimin për pulën…por si duket do më jetë dukur shumë evident, aq se ka ngelur pas dore…
gripish
April 6, 2008 at 11:45 am
Somehow i missed the point. Probably lost in translation
Anyway … nice blog to visit.
cheers, Cutthroat.
Cutthroat
June 18, 2008 at 10:51 pm